Banorët e Çairit të shqetësuar nga kanalizimet jo funksionale

Maqedonia

Banorët e Çairit të shqetësuar nga kanalizimet jo funksionale

Më: 2 tetor 2015 Në ora: 12:00

Komuna e Çairit është e vetmja në regjionin e Shkupit pa kanalizime moderne dhe një shi i rrëmbyeshëm, qoftë edhe i shkurtër, bllokon gjithë rrugët e vendit. Kështu theksojnë banorët që jetojnë në komunën e vetme shqiptare të Shkupit.

“Kjo është rrugë mjaft e frekuentuar dhe një shi i vogël bllokon komplet rrugën pasi që kanalizimi nuk thith ujin, por përkundrazi e kthen ujin. Me makina nuk mund të lëvizet e lëre më në këmbë. Ata që me patjetër duhet të kalojnë nëpër këtë rrugë e kanë të patjetërsueshme që të gjejnë rrugëdalje tjetër ose të rrinë diku deri sa uji të shpërndahet”, tha Agim Izairi, banor i komunës Çair.

Edhe në lagjet Seravë, Dizhon dhe Gazib Babë nuk është gjendja më e mirë, gjegjësisht në të gjitha lagjet e komunës së Çairit ka probleme me kanalizimin.

“Është e tmerrshme, në Seravë serish buron lumi që ishte dikur, rrugët mbushen me ujë dhe ne banorët duhet të kërkojmë mënyrë duke vendos dërrasa te dera që mos të na hyjë uji brenda. Tani jemi në vjeshtë dhe priten shira, si do ja bëjmë nuk e di, gjithmonë jemi me frikë se do na futet uji brenda dhe do të shkakton dëme të cilat nuk kemi mundësi që ti riparojmë”, tha Hasan T. Banor.

Sipas tij e njëjta situatë mbizotëron edhe në Gazi Babë dhe Dizhon.

“Kam kusheri në këto dy lagje dhe ata ankohen po për të njëjtat probleme. Është e tmerrshme si komuna nuk ndërmerr asgjë, kurse tatimin di ta merr”, tha ai.

Nga Komuna e Çairit vitin e kaluar thanë se në Gazibabë është ndërtuar kanalizimi dhe që së shpejti pritet që punimet të fillojnë edhe në rregullimin e kanalizimit të lagjes së Serovës, mirëpo nuk precizuan ndonjë datë, kurse tani thonë që rregullimi i kanalizimit bie nën kompetenca të Qytetit të Shkupit.

“Në Dizhon është bërë rrjeti atmosferik, dhe pritet që edhe në rrugët tjera të bëhet”, tha Udhëheqësi i sektorit për urbanizëm në Komunën e Çairit, Xhengis Hani.’

Ai shtoi se komuna e Çairit nuk është e vetmja që ka probleme pas reshjeve të rrëmbyeshme të shiut.

“Qyteti i Shkupit ka kompetencat për rregullimin e rrjetit atmosferik, të cilin rrjet nuk e kanë gjitha komunat, mund të them që 30 apo 40 për qind e Shkupit ka rrjet atmosferik. Nuk e dimë se kur do të mënjanohet kjo”, tha Hani.
Komuna e Çairit njihet edhe si komuna me dendësinë më të madhe në Maqedoni, ku në një kilometër katror jetojnë plot 18.400 banorë, duke qenë ndër më të lartat edhe në Europë.

Në vijim mund të shikoni disa foto gjatë përmbytjeve që ndodhin në qytetin e Shkupit./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat