Regjistrimi aktiv i votuesve, Jakupi: Vështirë do të realizohej në praktikë

Maqedonia

Regjistrimi aktiv i votuesve, Jakupi: Vështirë do të realizohej në praktikë

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 21:38

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konsideron se regjistrimi aktiv i votuesve si një opsion i mundshëm që do të dilte nga bisedat e grupeve të punës do të ishte një sfidë e madhe që vështirë do të realizohej në praktikë.

Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, thotë se jo të gjithë qytetarët do ta kenë të mundur që të paraqiten në qendrat speciale për t’u regjistruar si votues, duke aluduar për diasporën shqiptare.

Gjithashtu për realizimin e kësaj metodologjie të regjistrimit, sipas Jakupit, kërkohen kapacitete të shtuara teknike, por edhe personale.

“Kjo është një operacion koxha i komplikuar, që mendoj se do të duhet një angazhim shumë i madh, e sidomos nëse ngel në kompetencë të KShZ-së. Ana tjetër negative që ka kjo çështje do të ishte regjistrimi i diasporës, për shkak se shumë persona që janë në punë të përkohshme në vendet e jashtme do të jetë problematike që ato t’i regjistrojmë në afatin kohor që do të jetë”- deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Subhi Jakupi.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Bekim Kadriu, thotë se nga aspekti ligjor regjistrimi aktiv do të ishte antikushtetues.

Kushtetuta parashikon qartë se e drejta zgjedhore u takon shtetasve të RM-së që janë të moshës madhore dhe që kanë zotësi veprimi ose këtyre nuk iu është hequr zotësia e veprimit.

Kadriu thotë se për të pasur një listë transparente të votuesve do të duhet të bëhet pastrimi i listave zgjedhore, duke mos rrezikuar të drejtën e votës me një regjistrim aktiv.

“Autoritetet, duke u nisur nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe KShZ, që janë tre institucionet kyçe për përgatitjen e listës zgjedhore, ato duhet ta kontrollojnë listën, ta pastrojnë, të nxjerrin nga lista ata persona që nuk ju takon e drejta zgjedhore dhe të fusin ata persona të cilët u takon e drejta zgjedhore dhe nuk janë të inkorporuar në listë në bazë të kushteve. Nuk ka aty obligim për votuesit, d.m.th. për qytetarët, dhe ajo del jashtë kornizës kushtetuese dhe jashtë kornizës ligjore”- theksoi analisti, Bekim Kadriu.

Maqedonia në zgjedhjet e kaluara ka aplikuar regjistrimin pasiv. Të gjithë qytetarët të cilët kanë përmbushur të drejtën e votës janë evidentuar në regjistrin zgjedhor nga institucionet.

Por, nga LSDM kanë shpalosur mundësinë e arritjes së marrëveshjes bashkë me VMRO-në, që votuesit vetë të regjistrohen në listën zgjedhore dhe më pas ata të votojnë. Me një propozim të tillë synohet transparencë më e madhe në formimin e listave të votuesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat