Grupi punues, fillon debati për ndryshimet në Ligjin për prokuror

Maqedonia

Grupi punues, fillon debati për ndryshimet në Ligjin për prokuror

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 19:04

Pasi, një ditë më parë, u dakorduar për ndryshimin e Ligjit për prokuror publik, grupi i punës ka filluar debatin dhe kërkimin e zgjidhjeve ligjore me të cilat do të rregullohet themelimi i institucionit prokuror publik special.

Jozyrtarisht mësohet se grupi punues ka diskutuar rreth kompetencave, strukturës së prokurorisë speciale, si dhe çështjes së financimit të institucionit të ri. Edhe pse afati për zgjedhjen e prokurorit special është 15 shtatori, jozyrtarisht palët nuk kanë arritur asnjë përafrim rreth këtyre çështjeve, por vetëm kanë diskutuar ndërhyrjet e nevojshme në tekstin e ligjit në fuqi.

Sa i takon financimit, nuk ka ndonjë dallim të madh në qëndrime, pasi sipas të gjitha gjasave për formimin e institucionit ad hoc, do të alokohen fonde nga buxheti sipas një plani të detajuar financiar.

Çështja e prokurorit special ka zënë vend në disa takime të grupit të punës.

Udhëzimet e vazhdueshme nga zyrtarë të lartë evropianë se Marrëveshja politike e dy qershorit duhet zbatuar në përpikmëri dhe brenda afatit, siç duket ka ndikuar që grupi punues të angazhohet më shumë në çështjen e prokurorit special, e cila ka zënë vend në disa takime të grupit, radhazi.

Në ndërkohë, partitë politike kanë filluar të përgatisin terren për vetëmbrojtje nëse prokurori special nuk zgjidhet brenda afati.

“Nëse prokurori special nuk zgjidhet deri të martën tjetër, fajtor do të jetë pushteti”–ka deklaruar për mediat maqedonase nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.

Ndërkaq, ekspertë të fushës vazhdimisht theksojnë se përveç prokurorit special duhet themeluar edhe një gjykatë speciale, pasi vlerësojnë se gjykatat aktuale janë nën ndikim politik dhe puna e prokurorit special mund të dështojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat