Zvogëlohet numri i të punësuarve shqiptarë në Ministrinë e Arsimit

Maqedonia

Zvogëlohet numri i të punësuarve shqiptarë në Ministrinë e Arsimit

Më: 3 shtator 2015 Në ora: 10:14

Skandaleve të Ministrisë së Arsimit në Maqedoni, u shtohet edhe një tjetër, që ka të bëjë me zvogëlimin e të punësuarve shqiptare në të, prej kur me këtë ministri udhëheq një shqiptar.
Sipas raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2014, numri shqiptarëve të punësuar në MASH ka shënuar rënie të dukshme në krahasim me vitin 2013. Në vitin 2013 në MASH ka pasur gjithsej 287 të punësuar, prej të cilëve 180 kanë qenë maqedonas, 83 shqiptarë dhe 7 të komuniteteve tjera etnike. Dhe në vend se ky përfaqësim të përmirësohet ashtu siç e kërkon Me Ohrit, në vitin 2014 numri i shqiptarëve është ulur në 65, duke shënuar edhe rënie procentuale nga 28.9 në 28 për qind.
Por nëse mendoni se këtu përfundon skandali, e keni gabim. Në vitin 2014 ka rënë edhe numri i shqiptarëve që janë në pozita udhëheqëse në krahasim me vitin 2013. Në vitin 2013 ka pasur 5 shqiptarë në pozita udhëheqëse, kurse në vitin 2014 është ulur në 3 poste udhëheqëse (rënie nga 20.8 në 13 për qind).
“Që të jetë ironia më e madhe, ulja e numrit të punësuarve shqiptarë është shënuar në vitin kur udhëheqësinë me këtë resor e ka marrë kuadri i BDI-së, Abdilaqim Ademi, i cili në ueb faqen zyrtare të MASH-it deklarohet si shqiptar,” shkruan mes tjerash gazeta Lajm në Maqedoni.
Mirëpo analistët e konsultuar nga “Lajm”, thonë se kjo dukuri po tregon paraqitjen e një trendi të ri diskriminues ndaj shqiptarëve nga ana e funksionarëve të deklaruar shqiptarë, që për shkak të komplekseve veprojnë sipas sistemit “më shka se shkau”.
“Kjo paraqet një situatë të cilën nëse e përshkruajmë figurativisht, mund ta krahasojmë me rënien nga kali pa samar, në gomar me samar”, shprehet analisti i ri Besnik Rrahmani, duke shprehur brengosjen e tij që pozita edhe ashtu e rëndë e shqiptarëve në vend se të përmirësohet, vetëm po përkeqësohet.
Skandal tjetër paraqet edhe numri i nxënësve shqiptarë nëpër paralele, që tejkalon çdo kufi. Edhe pse numri i nxënësve shqiptarë të cilët këtë vit janë regjistruar në klasë të parë ka shënuar rritje, nuk është rritur numri i paraleleve të reja. Për shembull, në shkollën Fillore “Rajko Zhinzifov” në Çair këtë vit janë hapur 4 paralele, por deri më tani janë regjistruar 160 nxënës, që i bie që çdo klasë të numërojë nga 40 nxënës. Drejtori i kësaj shkolle ka thënë se se edhe pse ka bërë kërkesë deri tek kompetentët që t’i lejojnë hapjen edhe të një paraleleje, deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje!
Ndërkohë nga Lidhja e Arsimtarëve shqiptarë kanë paralajëmruar se Numri i madh i nxënësve në një paralele ulë cilësinë në arsim, andaj duhet bërë çmos në zgjedhjen e problemit që raste të klasave me mbi 34 nxënës të mos përsëriten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat