Edhe 2 deputet më shumë shqiptar mund të garantohen në njësin e gjashtë zgjedhore

Maqedonia

Edhe 2 deputet më shumë shqiptar mund të garantohen në njësin e gjashtë zgjedhore

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 11:15

Njësia e gjashtë zgjedhore që moti e kaluar pragun prej plus pesë për qind për nga numri i votuesve. Sipas të dhënave të fundit nga ana e Entit Shtetëror të Statistikave që ia dërgon çdo katër muaj Komisionit Shtetëror Zgjedhor, dallimi mes Njësisë gjashtë dhe Njësisë së tretë është 31 mijë votues, përkatësisht 314. 245 me 283. 771 votues shkruan gazeta Koha.

Kjo do të thotë se gjashta e ka kaluar kufirin me 5.3%. Po kështu edhe Njësia 2 është shumë afër ta kalojë pragun e votuesve dhe kjo pritet të vërtetohet nga të dhënat e reja që duhet të publikohen gjatë këtij muaji, pasi së fundmi ajo kishte 310. 000 votues.

Ndërkohë së fundmi janë shtuar zërat për ridimensionim të mirëfilltë të kufijve mes gjashtë njësive zgjedhore, sidomos zërat kritikë më të theksuar vijnë nga partitë shqiptare. Jozyrtarisht merret vesh se VMRO do të tentojë që Komuna e Jegunocës me votues të konsiderueshëm maqedonas të kalojë nga Njësia 6 ku është tani në Njësinë zgjedhore numër 1.

Ndërkaq, nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi për “Koha” thekson se problematika e kësaj njësie mund të zgjidhet me bartjen e tërësishme të Dibrës në Njësinë e pestë.

“Që të mos kemi më defekte dhe duke ndjekur edhe trendin e natalitetit, është mirë që komplet Komuna e Dibrës të bartet nga njësia 6 në njësinë 5, e jo siç është bërë në vitin 2013 me disa vendbanime të Zhupës.

Kur është fjala për Jegunocën, VMRO bën kalkulimet e veta politike, por sigurisht kjo parti ka si qëllim që me maqedonasit që janë shumicë në Jegunoc duke kaluar në njësinë 1 të mos humb me deputetë maqedonas që mund të ishin më shumë se sa tani, ndërsa në njësinë 6 numri i deputetëve shqiptarë mund të rritet për një apo për dy më shumë”, vlerëson Jakupi.

Por kjo thekson nënkryetari i KSHZ-së është pjesë e kalkulimeve të partive politike, ndërsa flet për një rregullim përfundimtar të territorit mes njësive zgjedhore, duke propozuar njëkohësisht edhe pragun prej 3 % të kufirit në trupin votues nga 5 sa është aktualisht.

“Kur negociohet për problematikat zgjedhore mes katër partive politike, duhet të shfrytëzohet kjo kohë që të bëhet një rregullim përfundimtar i kufijve mes gjashtë njësive zgjedhore. Ai thotë se kufiri prej 3 % mund te jete zgjidhje afatgjate nëse do të ketë edhe njëherë rregullim të kufijve mes njësive zgjedhore.

“Kisha propozuar limitin prej + dhe – 3% të tejkalimit apo uljes së numrit të votuesve brenda njësive zgjedhore. Kjo me kushtin që të balancohen të gjitha njësitë zgjedhore me 300 mijë votues mesatarisht, gjegjësisht njësia 3 dhe 4 të mos mbeten me numër të ulët krahasuar me njësinë 6 dhe 2 siç janë aktualisht, ku dallimi shkon në mbi 30 mijë votues”, thotë Jakupi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat