Bejta uroi nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit për fillim të mbarë të Vitit të Ri shkollor

Maqedonia

Bejta uroi nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit për fillim të mbarë të Vitit të Ri shkollor

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 14:39

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta zgjodhi shkollën fillore të fshatit Forinë për të uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme publike për fillimin e vitit të ri shkollor 2015 / 2016.

Nga klasat e filloristëve të rinj të cilët sot u ulën për herë të parë në bankat shkollore, kryetari Nevzat Bejta deklaroi se edukimi i gjeneratave të reja në kushte cilësore dhe proces të mirëfilltë edukativo arsimor, mbetet obligim i gjithë shoqërisë, duke kërkuar me theks të veçantë përkushtim maksimal nga kuadri mësimdhënës.

“Sot jam në mesin e fëmijëve që sot ulen për herë të parë në bankat shkollore, dhe sot kujtoj ditën e para shumë vitesh kur edhe unë kam shkuar për herë të parë në shkollë. Fillon një periudhë e re në jetën e tyre, fillon beteja e diturisë. Një betejë e përbashkët e fëmijëve, prindërve dhe mësimdhënësve të tyre. Ardhmëria e shoqërisë sonë varet nga edukimi i fëmijëve tonë. Ato nga sot fillojnë me diturinë dhe sa të jetë jeta e tyre do të jetojnë me këtë dituri, prandaj angazhimi jonë duhet të jetë i përbashkët dhe i domosdoshëm”, tha mes tjerash kryetari Nevzat Bejta, duke shtuar se Komuna e Gostivarit bashkë me institucionet qendrore dhe donatorët e ndryshëm maksimalisht janë përkushtuar në përmirësimin e kushteve mësimore në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.

Kryetari Nevzat Bejta tha se tashmë shkollat publike kanë marrë pamje krejtësisht të re dhe se shkollat e Komunës së Gostivarit janë dukshëm më të mira edhe në nivel republikan.

I pranishëm ishte edhe deputeti i zonës, Talat Xhaferi, i cili po ashtu përuroj nxënësit, prindërit dhe kuadrin pedagogjik për fillimin e vitit të ri shkollor.

Drejtori i shkollës fillore “Forina”, Ejup Nesimi theksoi se investimet e realizuara në këtë shkollë, shumica e tyre nga buxheti dhe me mbështetje të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejtta kanë mundësuar kushte solide për proces të rregullt edukativo arsimor për gjithë nxënësit e kësaj shkolle.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat