“Prokurori special”, grupi punues në kërkim të kornizës ligjore

Maqedonia

“Prokurori special”, grupi punues në kërkim të kornizës ligjore

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 07:44

Përfaqësuesit politik në grupin e punës edhe sot vazhdojnë të kërkojnë kornizë ligjore për prokurorin special.

Ngërçi rreth çështjes kyçe në këtë proces mund të ndikojë në vendimin e opozitës për t’u kthyer ose jo në parlament.
LSDM, e cila fillimisht kërkonte që prokurori special të rregullohet me një ligj të posaçëm, në takimin e parafundit të grupit ka dorëzuar propozim ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokuror publik, ndryshime me të cilat do të rregullohej edhe çështja e prokurorit special.
Mirëpo, VMRO-DPMNE-ja dëshiron që çështja e prokurorit special të rregullohet vetëm me akte nënligjore, në kuadër të ligjit aktual, i cili mundëson formimin e sektorëve special brenda Prokurorisë Publike.
Për dallim nga partneri i koalicionit qeveritar, BDI mbetet në qëndrimin se çështja e prokurorit special duhet të rregullohet me një ligj special. Këtë qëndrim e deklaroi vetë ministri i Drejtësisë nga radhët e BDI-së, Adnan Jashari.
Nuk ka asnjë detaj nëse VMRO-DPMNE dhe dy partitë shqiptare në takimin e sotëm kanë dhënë qëndrimet dhe propozimet e tyre rreth tekstit të projekt/ligjit që opozita maqedonase ka hedhur në tavolinën e bisedimeve.
Sipas protokollit të Marrëveshjes së dy qershorit, prokurori special duhet të zgjidhet deri më 15 shtator.
Nëse deri atëherë palët nuk bien dakord, nuk përjashtohet mundësia për arbitrim nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për tejkalimin e krizës politike.
Në ndërkohë, kreu i opozitës maqedonase paralajmëroi vazhdimin e publikimit të të ashtuquajturave “bomba”, nëse prokuroi special nuk zgjidhet brenda afatit të dakorduar me Marrëveshjen e Përzhinos, përkatësisht deri më 15 shtator.
Sipas Marrëveshjes së Përzhinos, kompetenca e prokurorit publik special do të jenë audio-xhirimet nga materialet e përgjuara dhe rasti “Puç”./TVM2

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat