Paralelet në gjuhën shqipe do të mësojnë në baraka

Maqedonia

Paralelet në gjuhën shqipe do të mësojnë në baraka

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 10:59

Pas gati 3 muaj pushim veror, këtë të martë fillon viti shkollor për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Kështu do të ndodh edhe me 1150 nxënësit shqiptarë të SH.M.T.K. “Nace Bugjoni” në Kumanovë, të cilët arsimohen në ndonjë nga nën-drejtimet e shumta të tre drejtimeve kryesore profesionale: Elektro-teknikë, Makineri dhe Shëndetësi.

Mirëpo, kushtet në të cilat mësojnë ata janë të këqia. Ka dallim të madh mes kushteve të nxënësve shqiptar dhe atyre maqedonas.

Për këtë çështje, foli zëvendës-drejtori, Nexhmedin Saliu. Sipas tij, vazhdimisht është rritur numri i paraleleve dhe kështu numri i klasave ekzistuese u bë i pamjaftueshëm. Prandaj që nga viti 2011, kanë ndërtuar klasa plotësuese në baraka.

“Gjashtë klasët plotësuese, të ndërtuara në baraka janë të përshtatshme. Kanë hapësirën e nevojshme për 34 nxënës, kanë nxehje qëndrore, kanë edhe për ftohje klimë. Janë të izoluara. Duhet të riparohet vetëm korridori dhe të vendoset ujë, se nxënësit për ujë duhet të vijnë në pjesën tjetër.” –tha Saliu, duke pohuar se kanë projekt konkret për këtë çështje.

Por pavarësisht këtyre klasëve plotësuese, ata janë të pamjaftueshme.

Saliu sqaroi “Janë 11 klasë në objekt dhe 6 klasë plotësuese (në baraka), pra gjithsej 17 klasë, kurse i kemi 38 paralele. Kështu mësimi realizohet duke përpunuar një orar në formë të rrotacionit, që është i vështirë por i mundur, pasiqë gjatë të dy ndërrimeve disa paralele janë jashtë shkollës, disa i dërgojmë për praktikë në spital.” Dhe shtoi se disa prej këtyre klasëve janë në dimensione shumë të vogla e nuk janë të përshtatshme,transmeton Portalb.mk.

Në shkollë ka një bibliotekë të vogël, por mungon salla sportive dhe oborri.

“Kemi 3 kabinete, nga një për secilin drejtim kryesor. Janë të pajisuara me mjete, ku realizohet mësimi, por janë të vogla e nuk i plotësojnë standartet.”-tha për ndihmës-drejtori Shyqeri Xhaferi. Përndryshe ai sqaroi se 6 paralelet 3 vjeçare (GTZ), të drejtimeve Makineri dhe Elektro-teknikë mësimin praktik e realizojnë te shkolla amë, pra te objekti i paraleleve maqedonase, pasi falë një memorandumi ata kanë të drejtë të shfrytëzojnë kështu investimin gjerman me vlerë prej 250 000 euro.

Në fakt edhe nga vetë emri i shkollës kuptohet se këto paralele në gjuhën shqipe ende nuk janë pavarësuar nga paralelet në gjuhën maqedonase.

“Si objekt jemi të ndarë fizikisht, teorikisht është një shkollë. Vula dhe buxheti janë të përbashkëta. Drejtori është maqedonas, sekretari, psikologu e sociologu poashtu maqedonas, kurse ne nuk kemi. Ne kemi ndihmës-drejtorë dhe 1 pedagog. Unë vetë jam zëvendës-drejtor, drejtori pra është maqedonas. 6 vite rradhazi kërkojmë pavarësim, për arsye se i plotësojmë kushtet. Derisa kusht për t’u pavarësuar janë 15 paralele, ne kemi 38 paralele, 95 të punësuar, 1150 nxënës. Drejtori maqedonas ka pranuar. Elaboratin e kemi përgatitur, e kemi dërguar në të gjitha instancat shtetërore, por ende nuk kemi marrur përgjigje konkrete me shkrim.”-deklaroi Nexhmedin Saliu.

Përderisa drejtori i përbashkët është njësoj përgjegjës si për paralelet në gjuhën maqedonase ashtu edhe për paralelet në gjuhën shqipe, sërish ka dallim në kushtet që i gëzojnë nxënësit shqiptarë dhe ato maqedonas.

Megjithatë, të pyetur se a ndahet buxheti i përbashkët në mënyrë proporcionale Saliu tha:

“Nuk e dijmë, puna e buxhetit rregullohet përmes Ministrisë së arsimit, kanë resor të financave dhe unë nuk e dij si e ndajnë buxhetin. Në objektin e paraleleve maqedonase kanë stadium, që vlen 1 100 000 euro por atë nuk e ka bërë drejtori, ai është projekt komunal, nuk është projekt në kuadër të shkollës. Salla është qendër reaktive qytetare… ajo poashtu është e komunës. Ata kanë në plan të ndërtojnë sallë të shkollës, sepse ka tre vite që kur kanë marrë leje, por ne edhe sikur të kemi financa për të ndërtuar një sallë nuk kemi ku ta ndërtojmë atë. Nuk kemi as oborr.”

Problemi tjetër është vendndodhja në një objekt të përbashkët me Gjimnazin “Sami Frashëri”, që siç thonë ata “rreth 1 200 nxënës janë në objet në secilin ndërrim.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat