Kriza politike në Maqedoni

Maqedonia

Kriza politike në Maqedoni

Më: 31 gusht 2015 Në ora: 09:01

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, nuk heq dorë nga pjesmarrja e diasporës në zgjedhjet për parlamentin e vendit. Pavarësisht kundërshtimeve nga të gjithë faktorët e tjerë politik që diaspora të mos ketë ligjvënës në Parlamentin e Maqedonisë, kryeminsitri duket se nuk po tërhiqet.

Bisedimet e grupeve të punës të katër partive kryesore mbi reformat zgjedhore, kanë për temë debati, mes tjerash edhe këtë çështje. Zoti Gruevski, i cili është dhe kryetar i partisë VMRO-DPMNE, duket se është i bindur për një fitore të radhës në zgjedhjet e parakohshme dhe ai dëshiron që tre deputetët nga diaspora, Australi, Evropë dhe Amerikë, të vazhdojnë të “përfaqësojnë interesat e maqedonasve të atjeshëm në vendin amë”.

Diaspora e Maqedonisë u përfshi në votime në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2011 dhe që të tre vendet i fitoi VMRO-DPMNE. Por, kritikët në Shkup vërejnë pabarazinë e votës, me që deputetët nga diaspora u zgjodhën vetëm me disa qindra vota, për dallim prej kolegëve të tyre brenda në Maqedoni, të cilëve rëndomë u duhen mbi shtatë mijë vota për të fituar një vend në parlament.

Ndërkohë, partitë politike në Maqedoni duket se nuk po pajtohen as për prokurorin e posaçëm që duhet të emërohet deri më 15 shtator. Drejtuesi në opozitë, Zoran Zaev, ka paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh brenda afatit të parashikuar, atëherë ai do të vazhdojë me publikimin e atyre që i quan "bomba”, përkatësisht bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Zoti Zaev thotë se ka mijëra regjistrime nga përgjimet që shërbimi sekret i vendit ua ka bërë qytetarëve, politikanëve, biznesmenëve dhe të tjerëve, një pjesë të të cilave tashmë i ka bërë publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat