Kuvendi, makineri votuese; 500 ligje miratohen për një javë!

Maqedonia

Kuvendi, makineri votuese; 500 ligje miratohen për një javë!

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 23:34

Miratimi i ligjeve të shumta me procedurë të përshpejtuar, vjen si pasojë e ditëve të numëruara për kthimin e opozitës në Kuvend. Ndryshimet e deritanishme, për ish kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Stojan Andov Kuvendin e kanë shndërruar në makineri votuese, ndërsa garnitura e cila po i voton këto ndryshime, sipas Andov nuk sheh më larg se hunda.

“Kjo përbërje Parlamentare, për gati 1 vit e gjysmë, ka sjell rreth 400 ndryshime ligjore, plotësime ligjore, etj.

Edhe 100 po të jenë janë shumë, e mos të flasim për 400 e më tepër. Kjo tregon se Qeveria fillimisht nuk ka koncept dhe nuk mund të shohë asgjë më larg se hunda e saj dhe për këtë sot sjell ligj, nesër e ndryshon dhe pasnesër e plotëson. Kjo nënkupton se fillimisht Qeveria nuk di se çfarë punon dhe çfarë ndodh, së dyti, shihet qartë se në Kuvend nuk ka njerëz të cilët do t’i tërhiqnin vërejtjen Qeverisë për atë se çfarë është duke bërë dhe t’i bëj presion për të punuar seriozisht”, theksoi Stojan Andov, Ish kryetar i Kuvendit.

Andov megjithatë shton se kjo shtrëngatë famëkeqe në Kuvend, do të merr fund që me kthimin e opozitës në vendin e saj, e cila pastaj do të duhet t’i gjërat t’i shohë nga një prizëm tjetër. Megjithatë, ish deputeti Mersel Bilalli thekson se një veprim i tillë i Kuvendit, shkel marrëveshjen e arritur politike.

“Fillimisht me këtë shkelet marrëveshja e Perzhinos, pasi që nuk pritet që opozita të kthehet në Kuvend dhe në formë demokratike të shtjellohen të gjitha ato propozim ligje apo ligje dhe në formën profesionale të miratohen, por në logjikës e vjedhësit, praktikisht miratohen të gjitha ligjet për të cilët objektivisht as që mund të arrihet deri te shqyrtimi dhe miratimi i tyre nga deputetët. Gjithë kjo ka prapavijën, që Qeveria nuk është e interesuar për një reformë serioze demokratike. E dyta, vazhdohet me logjikën e vjetër që Parlamenti të funksionojë edhe më tutje si shërbëtor i Qeverisë, ndërsa në të vërtet duhet të jetë e kundërta dhe kjo pra mohon vullnetin politik të Qeverisë për reforma”, theksoi Mersel Bilalli, Ish deputet.

Bilalli shtoi se i gjithë dështimi politik i deritanishëm i Kuvendit, do të dëshmohet pas ca muajve kur priten protesta të cilët do të prishin edhe më shumë jetën e përgjithshme politike në vend. Deri më tani janë miratuar ligje të ndryshme, që nga ato më të rëndësishëm si ligji për lustrim, ndryshime në ligjin për doganat, për tatimet, Bankën Popullore e deri tek ligjet për bujqësi dhe ambientin jetësor. Javën e kaluar, Kuvendi theu rekordin e të gjitha përbërjeve parlamentare të mëparshme, duke miratuar mbi 250 ligje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat