Analistët: Dështimi i prokurorit specail, rrezikon Marrëveshjen!

Maqedonia

Analistët: Dështimi i prokurorit specail, rrezikon Marrëveshjen!

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 23:23

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se dështimi i emërimit të prokurorit special jo vetëm që do ta nxiste Zevin të vijojë publikimin e bombave të reja, siç kërcënoi një ditë më parë vet lideri i opozitës, por vendin do ta zhyste në një krizë më të thellë politike madje të sigurisë. Sipas analistit Xhelal Neziri, mënyra e vetme për zgjedhjen e prokurorit special është me imponim të faktorit ndërkombëtar.

“Bisedimet apo implementimi i Marrëveshjes së 2 qershorit has në pengesa serioze gjë që jo që do e nxis Zaevin të rifillojë publikimin e bombave por mund të nxisë edhe tensione të tjera politik, tensione të tjera të sigurisë.

Gruevski është i njohur për moszbatimin të marrëveshjeve që ka nënshkruar apo dakorduar.. tani Gruevski do të shkaktojë ngërçe të reja politike me qëllim që të ketë intervenime dhe që do të prodhonin kompromise të tjera..Pa intervenim më serioz të faktorit ndërkombëtar prokurori special nuk do të zgjidhet asnjëherë, pasi kjo i bie që kjo qeveri të emërojë një prokurë që do të hetojë apo arrestojë figurat kryesore të kësaj qeverie” , theksoi Xhelal Neziri, analist.

Kryeministri Gruevski një ditë më parë ironizoi paralajmërimet e Zaevit, për vijimin e publikimit të bombave nëse dështon zgjedhja e prokurorit special. Sipas tij edhe pse Zaev në fillim të publikimit të bombave theksonte se qeveria do të binte për 3 ditë, pastaj për 30 ose 60 ditë tani para elektoratit nxirret me deklaratat se deri në zgjedhjet e prillit do të ngrihen aktakuza, se do të ketë burgosje. Megjithatë edhe kryeministri Gruevski njihet për ndryshim të shpeshtë të qëndrimesh dhe deklaratash të ngurta madje, se nuk do të jepte dorëheqje dhe nuk do të pranonte zgjedhje të parakohshme dhe as qeveri kalimtare.

Zoti Gruevski, SHGM-ja kërkoi dorëheqjen tuaj dhe të krerëve të DSK-së dhe MPB-së. A do jepni dorëheqje?

“Jo!”, u përgjigj i prerë Gruevski.

“Kërkesa e tyre kryesore ishte të formohet e ashtuquajtura qeveri kalimtare. Diçka si koalicion i gjerë nëse mund të kuptoj mirë dhe dorëheqje nga qeveria, nga unë, nga ministrat e tj. Për atë se kush do të jetë në qeveri e kush jo, vendosin qytetarët e Maqedonisë në zgjedhje. Ata janë që vlerësojnë, japin votën, besimin se cila parti politike dhe kush do të jetë kryeministër, e jo z. Zoran Zaev”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër (12.03.2015).

“Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje, as të pranoj qeveri kalimtare. Kam obligim të merrem me atë që e bën Zaevi, të merrem me këtë dhe të gjej zgjidhje që Maqedonia të ec përpara”, theksoi Nikolla Gruevski, kryeministër (16.05.2015).

“Ne jemi të hapur për bisedime, por nuk do të lejojmë zgjidhje që është e kundërt me vullnetin zgjedhor të shumicës së qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër (18.05.2015).

Megjithë këto deklarata, kryeministri Gruevski më pas ndryshoi qëndrimin, pranoi formimin e qeverisë kalimtare dhe dorëheqjen e tij dhe madje akuzoi LSDM-në se dëshironte ti shmanget zgjedhjeve të parakohshme.

“LSDM në gjithë periudhën e fundit, edhe në ditën e sotme, bënte përpjekje maksimale që marrëveshja e 2 qershorit të dështonte dhe të mos kishte zgjedhje në prill. Kjo, për arsye se ata janë të vetëdijshëm që në prill do t’i humbin zgjedhjet dhe janë të vetëdijshëm që populli nuk u jep përkrahje... Sot LSDM-ja u detyrua të mos mund t’iu shmanget zgjedhjeve të prillit të vitit 2016. VMRO DPMNE-ja negocionte me vendosmëri, dhe nuk u la aspak hapësirë të ikin nga zgjedhjet” theksoi Nikolla Gruevski, kryeministër (15.07.2015).

Gjithashtu në bazë të Marrëveshjes politike që firmosi vet kryeministri Gruevski, qeveria kalimtare që kundërshtonte ai në fillim, duhet të formohet deri më 15 janar dhe atë nuk do ta drejtojë Nikolla Gruevski, por një pasardhës i tij nga VMRO-ja ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 24 prill. Po ashtu, afera e përgjimeve do të hetohet nga prokurori special publik, i cili duhet të emërohet deri më 15 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat