Prokuror special ndërkombëtar për Maqedoni, pse të mos jet kryeprokurori kroat, Dinko Cvitan

Maqedonia

Prokuror special ndërkombëtar për Maqedoni, pse të mos jet kryeprokurori kroat, Dinko Cvitan

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 17:43

Prokurori special, sipas marrëveshjes së 2 qershor, duket të fillojë punën nga muaji shtator, detyrë e së cilit do të jetë hetimi i materialeve të përgjuara të publikuara nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, sipas të cilit funksionarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në afera të rënda korruptive. Çështja e zgjedhjes së prokurorit special që është pjesë e marrëveshjes politike, do të diskutohet në kuadër të negociatave mes grupeve punuese të përfaqësuara nga katër partitë politike.

Edhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev pret që më së voni deri më 15 shtator do të zgjidhet prokurori special.

„Zgjidhja ligjore veçmë po shqyrtohet midis të gjitha partive të cilat marrin pjesë në grupet e punës, ndërsa këtu është edhe bashkësia ndërkombëtare. Pres që veçmë deri më 1 shtator të kalojë në Grupin e punës që menjëherë të mund të hyjë në Parlament, të votohet ligji, ndërsa më së voni deri në datën 15 të zgjidhet emri i prokurorit special“, tha Zaev.

Prokurori duhet të propozohet nga opozita, por zgjedhja e tij nuk do të mund të bëhet pa mbështetjen edhe të partive në pushtet. Bisedimet mes partive po ndërmjetësohen nga i dërguari i Bashkimit Evropian, diplomatit belg, Peter Van Hout, i cili pret nga grupet e punës t’i përmbahen afatit që deri më 15 shtator Maqedonia të ketë prokurin special, i cili do të nisë punën për hetimin e aferës së përgjimeve të publikuara nga opozita.

Partitë, duhet të jenë pajtuar që prokurori special të zgjidhet nga radhët e prokurorëve aktual të prokurorisë publike, por, një mundësi e tillë, nuk shihet si zgjidhje adekuate nga njohësit e çështjeve juridike. Ata thonë se do të ishte mirë që të kemi një prokuror special, por që do të ishte i huaj me kompetenca të konventave ndërkombëtare, të ketë një autonomi të veprimit pa marrë parasysh se cili është shkelësi i ligjit, sepse këtu deri më tani ka pasur veprime selektive për atë se kush e shkel dhe kush nuk e shkel ligjin, informon REL.

Prokurori special, me ligj të posaçëm apo me akte nënligjore?

VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për mënyrën e rregullimit juridik të punës dhe kompetencave të prokurorit special. Ndërkohë që opozita kërkon që të miratohet ligji i posaçëm, VMRO DPMNE-ja dëshiron që çështja e prokurorit të rregullohet vetëm me akte nënligjore, respektivisht duke formuar sektorë special në kuadër të prokurorisë aktuale publike. Nga opozita thonë se ata janë të gatshëm për kompromis dhe presin që partia në pushtet t’i adresojë vërejtjet e tyre rreth tekstit të projektligjit të propozuar. Përfaqësuesit e partive politike pjesëmarës në negociatat për zgjedhjen e prokurorit special nuk janë optimist se në periudhën e ardhshme do të arrijnë marrëveshje për rregullimin ligjor të punës së prokurorit special.

Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari theksoi se puna e prokurorit special duhet të precizohet me ligj të veçantë, ose të paktën me ndryshimin e ligjit aktual për prokurorinë publike, me qëllim evitimin e konfliktit të kompetencave mes prokurorit special dhe prokurorisë aktuale, transmeton DW.

Kompetencat e prokurorit special, a do të hetojë edhe rastin ‘’Monstra’’

Sipas protokollit të Marrëveshjes Politike, Prokurori Special duhet të zgjidhet deri më 15 shtator. Nëse nuk ka marrëveshje mes palëve, mund të ketë rekomandim arbitrar nga garantuesit ndërkombëtarë të marrëveshjes, me qëllim që të mos rrezikohet respektimi i tërë marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës politike. Funksionimi i tij do të ketë edhe bazë kushtetuese, pasi partitë do ta ndryshojnë kushtetutën për emërimin e tij. Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni thonë se zbatimi i marrëveshjes do të hasë në vështirësi për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike dhe tendencave nga ana e tyre për të devijuar nga pikat e marrëveshjes.

Avokati mbrojtës i gjashtë shqiptarëve të dënuar për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovë, Naser Raufi, thotë se më 11 shtator do të kërkojë prolongim të seancës gjyqësore të Gjykatës së Apelit, të caktuar lidhur me ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore për rastin “Monstra”. Në një deklaratë për “Lajm”, Raufi thotë se në seancën e caktuar më 11 shtator, do të kërkojë nga gjykatësja që rasti të prolongohet pas 15 qershorit, kur edhe duhet të zgjedhet në Prokurori Special. “Lideri i opozitës Zoran Zaev më ka premtuar se të gjitha dëshmitë që i posedon lidhur me dyshimet rreth rastit ‘Monstra’ do të ja dorëzojë Prokurorit Special që duhet të zgjedhet më 15 qershor. Për këtë arsye ne edhe do të kërkojmë që rasti të prolongohet pas 15 qershorit, sepse atëherë do të kemi më tepër dëshmi lidhur me rrethanat se si ka ndodhur vrasja e pesëfishtë. Në këtë mënyrë edhe gjykata do të jetë në situatë që të sjell vendim më meritor dhe më të drejtë

Në anën tjetër, f amiljarët e të akuzuarve për rastin Monstra, pas deklaratës së fundit të liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev për media se të gjitha dëshmitë rreth këtij rasti do t’i dorëzohen prokurorit special, thonë se vetëm një prokuror publik i huaj mund të veprojë në formë të pavarur.

“Unë mendoj se sikur prokurori special do të ishte i huaj do të ishte më i besueshëm sepse ai nuk do të influencohej nga politika ditore, përkatësisht nuk do të kalkulonte me asnjë parti politike, por duke qenë tërësisht i pavarur do të kryente detyrën ashtu siç e ka një prokuror publik”, thekson Bedri Ajdari vëllai i njërit nga të akuzuarit për rastin Monstra.

“Më vjen mirë që ai (Zaevi) zotohet se të gjitha dëshmitë që posedon nga materialet e përgjuara rreth rastit Monstra do t’ia dorëzojë prokurorit special, por mbetet të shohim se çfarë materiale do t’i dorëzojë. Ne kemi kërkuar disa herë publikisht nga Zaevi, madje edhe në formë të shkruar përmes avokatëve mbrojtës të rastit, që të na i japë të gjitha dëshmitë me të cilat ai disponon“, tha Ajdari, tranmsmeton REL.

Por një Prokuror special që nuk do të hetonte edhe prapaskenat që sollën tragjedinë në Kumanovë, më 9 dhe 19 maj të këtij viti, do të konsiderohej i pa plotë në msionin e tij, aq më tepër kur kjo ngjarje implikoi shumë faktorë, jo vetëm vendorë por edhe rajonal dhe më gjerë.

Si u inskenua “Kumanova“?

Rasti i Kumanovës, bashkë me inskenimet tjera makabre që u bënë në Maqedoni, janë testi më sfidues i Prokurorit special, i cili pa tjetër që duhet të vijë nga ndonjë vend i fuqishëm Perendimor me traditë të gjatë të luftës kundër krimit. Madje më i sprovuar në këtë drejtim mund të jetë kryeprokurori Kroat, Dinko Cvitan, i cili 5 vite më parë ka urdhëruar arrestimin e ish-kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader, nën akuzën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Gjykata në Kroaci e dënoi ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader me 10 vjet burg. Sanader, i cili drejtoi Kroacinë nga viti 2003 deri sa dha dorëheqjen në mënyrë të befasishme në vitin 2009, dhe u arratis nga vendi pak pasi kundër tij u lëshuan disa aktakuza për korrupsion. Ai u arrestua në Austri dhe u ekstradua në vitin 2011 në Kroaci. I gjithë procesi gjyqësor zgjati 1 vit.

Sanader u shpall fajtor për spekulime dhe për mitëmarrje nga dy kompani të huaja. Sanader ka këmbëngulur vazhdimisht për pafajësinë e tij dhe ka deklaruar se do të ankohet në Gjykatën e Apelit. Ai gjithashtu është gjobitur me rreth 5.5 milionë euro. Sanader pas një mandat arresti ndërkombëtar u akuza si i përfshirë në disa afera korrupsioni.

Cvitan mund të jetë Prokuror special edhe për Maqedoni, një kuadër i dëshmuar dhe tepër kredibil në fushën e drejtësisë, i pakompromis në goditjen e politikanëve që e llogarisin veten perandor kundrejt ligjit dhe votuesve, por edhe që u pasuruan duke keqpërdorur pozitat dhe privilegjet e politikës. Këta të fundit mund ti gjejmë edhe në radhët e polikanëve shqiptarë, në pushtet dhe opozitë, transmeton FaktiNews.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat