Zaev kërcënon me të tjera “bomba” përgjimi

Maqedonia

Zaev kërcënon me të tjera “bomba” përgjimi

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 09:10

Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev ka kërcënuar se do të vijojë me publikimin e materialeve të reja komprometuese për zyrtarët e qeverisë nëse deri më 15 shtator nuk emërohet prokurori special që duhet të hetojë aferën e përgjimeve.

“Nëse nuk do të emërohet prokurori special, dëshmitë që posedojë nuk do t'ia dorëzoj prokurorit aktual, Zvrlevskit. Nëse nuk do të kemi institucione të pavarura për t'ia dorëzuar materialet, të njëjtat do ti publikojmë para qytetarëve, siç bëmë deri tani”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Çështja e prokurorit special është pjesë e marrëveshjes së 2 Qershorit. Megjithatë, partitë që kanë firmosur këtë dokument ende kanë dallime rreth emërimit të tij, kompetencave që duhet të bartë si dhe ndryshimeve ligjore që duhet të pasojnë. Lideri opozitar, akuzoi oponentin e tij kryeministrin Nikolla Gruevski, se po mundohet të pengojë zbatimin e marrëveshjes që duhet ti jep fund krizës politike në Maqedoni.

“Unë pres që deri në mbajtjen e zgjedhjeve në prill të vitit të ardhshëm, të ngrihen aktakuzat e para dhe të merren vendime. Të paraqitemi unë dhe Gruevski në bankën e të akuzuarve. Nuk ka shpëtim. Nëse kemi shkelur ligjin duhet të përgjigjemi para organeve të pavarura me në krye Prokurorin Special. Amnesti të reja nuk na duhen”, shtoi ai.

Ndërkohë, Komisioneri Europian për Zgjerim, Johanes Hahn, i cili ndërmjetësoi mes palëve për arritjen e marrëveshjes së 2 qershorit, ka vlerësuar se zbatimi i saj është në rrugë të mirë. Gjatë një prononcimi për një të përditshme austriake, ai ka theksuar se javën e ardhshme opozita duhet të kthehet në parlament siç parashikon marrëveshja, ndërkohë që palët po bëjnë progres edhe rreth emërimit të prokurorit special.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat