Asnjë përafrim qëndrimesh për Prokurorin Special

Maqedonia

Asnjë përafrim qëndrimesh për Prokurorin Special

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 21:14

Edhe në takimin e sotëm për prokurorin special, palët nuk kanë lëvizur aspak drejt marrëveshjes për zgjidhjen ligjore. VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për mënyrën e rregullimit juridik të punës dhe kompetencave të prokurorit special. Derisa opozita kërkon që të miratohet ligj i posaçëm, VMRO DPMNE-ja dëshiron që çështja e prokurorit të rregullohet vetëm me akte nënligjore, respektivisht duke formuar sektor special në kuadër të prokurorisë aktuale publike.

Në takimin e sotëm është diskutuar edhe rreth propozim ligjit për prokurori speciale të dorëzuar nga LSDM-ja në takimin e kaluar. Nga opozita thonë se ata janë të gatshëm për kompromis dhe presin që partia në pushtet t’i adresojë vërejtjet e tyre rreth tekstit të draft versionit të propozuar. Edhe pse afati i 15 shtatorit po afrohet, palët nuk janë optimiste se në periudhën e ardhshme do të arrijnë marrëveshje për rregullimin ligjor të punës së prokurorit special. Pa u zgjidhur kjo çështje, nuk do të bisedohet për emra.

Ndryshe, ditë më parë edhe Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari theksoi se puna e prokurorit special duhet të precizohet me ligj të veçantë, ose të paktën me ndryshimin e ligjit aktual për prokurori publike, me qëllim evitimin e konfliktit të kompetencave mes prokurorit special dhe prokurorisë aktuale. Sipas protokollit të Marrëveshjes Politike, Prokurori Special duhet të zgjidhet deri më 15 shtator. Nëse nuk ka marrëveshje mes palëve, mund të ketë rekomandim arbitrar nga garantuesit ndërkombëtarë të marrëveshjes, me qëllim që të mos rrezikohet respektimi i tërë marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat