Tahiri: Gruevski të heq dorë nga karta etnike për nxitjen e tensioneve

Maqedonia

Tahiri: Gruevski të heq dorë nga karta etnike për nxitjen e tensioneve

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 18:22

Analistët komentojnë deklaratat e një dite më parë të kryeministrit Gruevski, se terrorizmi ka trokitur në derë dhe çdo qytetarë i Maqedonisë është në rrezik. Ata thonë se qëndrimi i Griesvkit është thjesht një retorikë nacionaliste që ka për qëllim frikësimin e popullatës, shpërqendrimin e vëmendjes nga problemet reale, si dhe përfitim të pikëve politike ditore për partinë në pushtet.

“Retorikë boshe e dy patriotëve, thënë kushtimisht, nacional romantik dhe të vonuar të cilët vazhdojnë të hutojnë dhe frikësojnë popullatën me skenarë të errët destabilizues, krejt me qëllim që të kamuflojnë problemet reale që ekzistojnë në jetën politike, të kamuflojnë bisedimet ku duhet të bëjnë lëshim pe për shumë çështje midis të cilave edhe për votimin e deputetëve të diasporës, reformimit të mediave dhe shërbimit radiodifuziv dhe kanë qëllim të vetëm kamuflimin e problemeve reale, ekonomike që dita-ditës thellohen në Maqedoni”, deklaroi Sefer Tahiri, analist.

Sipas Vllatko Dimovskit, Gruevski përsërit një praktikë të cilën e ndjek në çdo fushatë parazgjedhore. Ai thotë se edhe në të kaluarën tensionet etnike dhe temat e sigurisë janë keqpërdorur nëpër fushatat e VMRO-DPMNE-së.

“Është e zakonshme për politikanët, veçanërisht të këtyre që tani janë në pushtet, t’i keqpërdorin disa raste të hidhura në ngjarje manifestuese. Dita e djeshme ishte festive në të cilin nuk duhej të përmendeshin gjera të tilla, por duhej të përmendet historia dhe ajo që na pret në të ardhmen. Nga ana tjetër, e kuptojmë se jemi në një vit parazgjedhor dhe në fushatë s’ka “pardon” dhe zgjedhje të mjeteve, që fatkeqësisht është dështim për shtetin që na ndjek për vite me radhë dhe nuk është vetëm sot”, tha Vllatko Dimovski, analist.

Sipas Sefer Tahirit, më e pakuptueshme në këtë situatë është heshtja e partive shqiptare, si e BDI-së ashtu edhe e partive në opozitë. Tahiri thekson se kjo retorikë duhet të demaskohet, dhe Gruevskit të mos i lejohet të sillet si “L'état, c'est moi”, pra shteti të jetë vetëm i tij, i partisë dhe simpatizantëve të tij.
“Mendoj se është e pashpjegueshme heshtja e politikës shqiptare, e partisë në pushtet, por edhe e partive opozitare, ndaj retorikës së tillë të udhëheqësve të Maqedonisë, të cilët në një farë mënyre vazhdojnë të kenë fajtor kujdestar, shqiptarët, vazhdojnë të kenë fajtor kujdestar, çështjen e sigurisë dhe konsideroj se kjo mënyrë e të vepruarit politik dhe ky nënshtrim që i bëhet kryeministrit Gruevski dhe VMRO-DPMNE, njëherë e përgjithmonë duhet të ndërpritet”, u shpreh Sefer Tahiri, analist.

Analistët bëjnë apel që karta etnike duhet të hiqet përfundimisht, pasi të gjitha tensionet kanë ardhur pikërisht nga kjo politikë përçarëse e VMRO DPMNE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat