Deklaratë Publike: Ndal skenarëve të errëta në Kumanovë

Maqedonia

Deklaratë Publike: Ndal skenarëve të errëta në Kumanovë

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 14:00

Një grup intelektualësh nga Kumanova përmes një deklarate publike drejtuar institucioneve në Maqedoni dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë kërkojnë shtimin e vëmendjes dhe përkujdesjes ndaj Kumanovës, pas skenarëve të errëta destabilizuese dhe propagandës që me çdo kusht po synohet krijimi i Kumanovës një ‘fuçi baroti’.

Ja Deklarata e plotë:

Kumanova dhe rajoni i saj më i gjërë është shndërruar në një arenë të skenarëve të errëta dhe destabilizuese, që kanë prapavijë të rrezikshme.

Autorët dhe porositësit e këtyre skenarëve të zeza me çdo kusht po tentojnë që të krijojnë incidente, tragjedi dhe dhunë në këtë rajon, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga përgjegjësia politike, dështimet e qeverisjes, akuzat për krim dhe korrupsion dhe përballja me drejtësinë.

Skenarët nuk kanë të ndalur me vrasje, dhunë, ushtrim terrori përmes formave dhe metodave të ndryshme, që po reflektohen me tensione dhe presione ndaj qytetarëve.

Ishte 9 dhe 10 maji, ku Kumanova u trondit nga një skenarë destruktiv dhe me shumë pikëpyetje, që përfundoi me viktima, tmerr, pasoja postraumatike dhe dëme të mëdha materiale në Lagjen e Trimave. Por edhe me arratisjen në heshtje të dhjetëra familjeve shqiptare drejt vendeve të tjera.

Më pas incidenti ndërpartiak brenda partisë në pushtet BDI ku pati një të vrarë dhe dy të plagosur si dhe raste të tjera të kronikës së zezë që po krijojnë një imazh të errët.

Vazhdimi i këtyre skenave vijoi sot përmes makinerisë propaganduese të disa mediave proqeveritare kujdestare për shqiptarët, të cilat terrorizuan banorët e Kumanovës dhe Likovës për gjoja operacion të gjerë policor antiterrorist në disa fshatra të kësaj zone.

Siç po shihet këto skenarë nuk kanë të ndalur, andaj ne një grup intelektualësh kumanovarë më në fund apelojmë dhe kërkojmë që të ndërpriten sa më parë këto skenarë që kanë për qëllim destabilizimin, krijimin e pasigurisë dhe eksodin e qytetarëve.

Kjo situatë është shumë serioze dhe kërkohet ndërhyrje urgjente për të detektuar autorët dhe porositësit e tyre, por edhe përgjegjësit e institucioneve.

Përmes kësaj deklarate publike kërkohet:

Përgjegjësi dhe veprim urgjent të të gjithë faktorëve institucional, politik dhe ndërkombëtarë për të ndërprerë skenarët dhe operacionet që po vazhdojnë ti shkruhen Kumanovës dhe rrethinës,

Përgjegjësi publike nga pushteti aktual, sidomos partia BDI, të dalin dhe të sqarojnë situatën dhe të mos i shmangen përgjegjësive,

Ndriçimi i plotë i gjitha rasteve të fundit dhe skenarëve destabilizuese, përfshirë 9 majin, përmes një hetimi ndërkombëtar,

Monitorim i shtuar i misionit të OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtuat e njeriut,

Formimi i një këshilli emergjent të përbashkët të dy komunave Kumanovë – Likovë me një përbërje të gjerë për të ndjekur situatën,

Revitalizimi i kësaj zone dhe krijimi i kushteve të sigurisë dhe zhvillimit, përmes krijimit të një strategjie emergjente, me fonde dhe përkrahje financiare për projekte të ndryshme,

Hapja e një debati të gjërë për ngjarjet e fundit të sigurisë, thuhet në fund të Deklaratës publike drejtuar Qeverisë së R.Maqedonisë, Misionit të NATO-s në Shkup, OSBE, zyrës së BE-së, ambasadës së SHBA-ve dhe përfaqësive të tjera diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Kjo deklaratë është përkrahur nga dhjetëra intelektualë në Kumanovë, të cilët alarmojnë për kthimin e vëmendjes ndaj Kumanovës përmes projekteve zhvillimore dhe jo skenarëve destabilizuese.

Kjo nismë u ndërmor nga gazetari Naser Pajaziti dhe politikologu Xhenis Sulimani, me përkrahjen e shumë intelektualëve të tjerë të sferave të ndryshme si: Selver Jashari, veteran i luftës, Rexhail Ramadani, mjek specialist, Isen Salihu, gazetar , Mr. Muhamer Pajaziti, profesor, Sead Zimeri, PhD në filozofi Norvegji, Mr.Fatos Rushiti, profesor, Ijasa Salihu, publicist, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat