Fejzullahu akuzon Ahmetin për vrasjet brenda BDI-së (Video)

Maqedonia

Fejzullahu akuzon Ahmetin për vrasjet brenda BDI-së (Video)

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 20:56

Incidentet e fundit në BDI të cilat u përshkallëzuan deri në viktima, ishin në qendër të debatit të sotëm në kuvend. Në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve, PDSH-ja kërkoi përgjegjësi nga ministrat e BDI-së për situatën që ka krijuar në vendbanimet shqiptare. Ernad Fejzullahu madje, si përgjegjës kryesor për vrasjet e fundit, vuri në shënjestër kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Megjithatë, akuzat e PDSH-së hasën në vesh të shurdhër pasi asnjë nga ministrat e BDI-së nuk ishte i pranishëm në seancën e llogaridhënies përpara deputetëve.

“Vrasjet e fundit edhe publikisht janë vrasje që i bën vet Ali Ahmeti dhe për këtë ai nuk ndjen asnjë përgjegjësi dhe obligim që të dalë dhe sqarojë shqiptarëve se përse vret. Përse i vret shqiptarët? Përveç këtyre vrasjeve, veprimi politik i këtij personi dhe partinë që ai udhëheq, në 12 vjet qeverisje, 12 vjet pushtet, me ministra, zv/kryeministra dhe gjithë ajo tajfa që e përcjell këtë pushtet, shqiptarët diskriminohen dhe varfërohen”, deklaroi Ernad Fejzullahu, PDSH.

Megjithë akuzat që kishin ndaj BDI-së, PDSH-ja duket se nuk kishte asnjë vërejtje apo pyetje ndaj kryeministrit Gruevski dhe ministrave të tij. Nga ana tjetër deputetja e pavarur Roza Topuzova Karevska, i quajti si të pakuptimta përpjekjet e grupeve të punës për pastrimin e listës zgjedhore, pa pasur më parë regjistrim të popullsisë.

“Sa banorë ka Republika e Maqedonisë? A plani
fikon kjo qeveri ta bëjë ndonjëherë regjistrimin.. duket se interes për një gjë të tillë nuk ka. Partitë u morën vesh për gjithçka por vetëm regjistrimin askush nuk e përmendi. Tani grupet e punës ulen, negociojnë si ta pastrojnë listën zgjedhore, në vend që të bëhej regjistrimi dhe pastaj të bëhej edhe një listë reale të votuesve”, tha Roza Topuzova Karevska, deputete e pavarur.

Kryeministri Gruevski theksoi se qeveria ka ndërmend të realizojë regjistrimin e popullsisë, megjithëse nuk ofroi një kornizë kohore se kur do të ndodhte kjo përfundimisht.
“Përgjigjja është po. Synojmë ta bëjmë regjistrimin. Ndërkohë, po bëjmë parapërgatitjet në dy drejtime. Në drejtim të lidhjes elektronike të regjistrave amë, që pjesa më e madhe e regjistrimin të kryhet në mënyrë elektronike dhe në këtë drejtim kemi rezultate. Presim që deri në fund të vitit të mbërrijë pajisja e plotë për lidhjen e të gjitha regjistrave amë”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.

Kryeministri Gruevski nga ana tjetër nuk kurseu akuzat ndaj LSDM-së, madje e fajësoi opozitën për bllokim të shumë projekteve, për shkak të krizës që krijoi në politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat