Qeveria e Gruevskit shfrytëzon projektin “Maqedonia punëson” për militantët partiak!

Maqedonia

Qeveria e Gruevskit shfrytëzon projektin “Maqedonia punëson” për militantët partiak!

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 13:37

Qeveria e Maqedonisë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja është duke realizuar projekte më skandaloze në historinë e shtetit. Projekti “Maqedonia punëson” e kryeministrit Gruevski me paratë e shtetit bën manipulimin e qytetarëve, të cilët me vite janë të papunë, shkruan Zhurnal.
Gruevski i cili u përfshi në skandalin më të madh të përgjimeve po tenton shpëtimin e vetëm ta gjejë duke punësuar militantët e partisë së tij si dhe persona të cilët nuk plotësojnë asnjë kusht për punësim por që mund të llogariten si makineri votuese për VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Gruevski lëvdërohet para Brukselit dhe Uashingtonit se Qeveria po bën punësime duke u lëvdëruar se firmat të cilat do të bëjnë punësimin e kësaj kategorie do të lirohen nga kontributet gjatë 5 viteve të ardhshme.
Ekonomisti Hamit Aliu thotë se kriza politike do ta katërfishojë krizën ekonomike. Sipas tij, sa më parë ta kuptojë Gruevski se duhet të largohet nga pushteti aq më shpejtë do të fillojë rimëkëmbja ekonomike e vendit.
“Duhet ta kemi një gjë të qartë në Maqedoni se sa më tepër që zgjat kriza politike katërfishohet kriza ekonomike dhe të gjitha improvizimet tjera që i bën Gruevski nuk janë të logjikshme. Sa më shpejtë ta kuptojë Gruevski se duhet të largohet nga pushteti aq më shpejtë ne do të dalim edhe nga kriza ekonomike dhe nga kriza politike. Nëse bëhet një analizë mund të shihet se në cfarë niveli ekonomik kemi rënë brenda tre muajve”, deklaroi për Zhurnal, ekonomisti Hamit Aliu.

Ai thekson se nuk është i befasuar nga deklaratat e Gruevskit, pasi sic thotë ekonomisti Aliu, janë deklarata origjinale dhe klasike të një njeriu ballkanik.
“Në përgjithësi ne në Ballkan dimë të improvizojmë. I improvizojmë gjërat deri në atë shkallë sa që e pyesim veten athua vallë ne jemi më të pasur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Besoni që kur të përcjellësh deklaratën e Gruevskit krijon përshtypjen se me mirëqenien ekonomike Maqedonia ia tejkaluar SHBA-ve. Kjo është një lojë psikologjike dhe politike që e bën pushteti me qytetarët. Ndërsa në anën tjetër të gjitha parametrat ekonomik nuk tregojnë atë që flet Gruevski”, tha për Zhurnal, ekonomisti Hamit Aliu.
Sipas tij, problemin politik reflektohet në masë të madhe në aspekt ekonomik sepse nuk ka as investime, as mirëqenie ekonomike kurse projekti siç është “Maqedonia punëson” duhet të bllokohet urgjentisht.
Me këtë Gruevski Maqedoninë e shndërron në firmë partiake pasi askund në botë shteti nuk bën punësimin por punësimin e dirigjon ekonomia e tregut në bazë të kualiteteve dhe përgatitjes profesionale të kandidatit.
Është tragjike kur Gruevski dëshiron të punësojë një armatë ushtarësh partiak, të cilët do të punësoheshin në firmat e afërta të VMRO-DPMNE-së dhe më pas m’u këta të punësuar do të ishin të detyruar që të votojnë për partinë e Gruevskit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat