Shkolla e mesme në Studeniçan, komuna siguron tokën ndërtimore

Maqedonia

Shkolla e mesme në Studeniçan, komuna siguron tokën ndërtimore

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 20:56

Me propozim të kryetarit të Komunës së Studeniçanit Azem Sadiki, Këshilli komunal solli vendim të blejë tokë me sipërfaqe prej 5000 m2 për nevojë të ndërtimit të shkollës së mesme.

“Komuna duhet të paguajë për këtë tokë 45.000,00 euro, shumë kjo që është për 3000 m2, kurse 2000 m2 tjera komuna i ka donacion falas nga pronari i tokës Shefket Idrizi banori i Studeniçanit për të cilën gjë në emër të qytetarëve të Komunës së Studeniçanit e falënderojmë përzemërsisht. Ky gjest human është dhe do të mbetet si vepër dhe kontribut për realizimin e një pune që gjenerata me rradhë do të pajisen me dituri, arsim dhe kulturë. Kështu që komuna i ka gjithësejt 5000 m2 tokë që i plotëson kushtet për ndërtimin e shkollës së mesme”, informon kryetari Sadiki.

Toka në fjalë gjindet në rrugën regjionale Studeniçan-Zelenikovë dhe është vend i përshtatëshëm që lidh vendbanimet tjera të komunës dhe vendbanimeve shqiptare nga komunat përreth.

“Me këtë punë komuna jonë e bën hapin e parë për fillimin e realizimit të ëndrrës së kahmotshme të qytetarëve tonë, dhe tani jemi duke punuar me tempo të përshpejtuar në punimin e projektit për shkollën e mesme”, thotë Sadiki.

Përndryshe Komuna e Studeniçanit për këtë projekt ka marrë premtime të mëdha nga organizata TIKA nga Turqia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat