Tetova po vuan për ujë të pijshëm

Maqedonia

Tetova po vuan për ujë të pijshëm

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 17:14

Tetova e cila prej vitesh vuan mungesën e ujit për pije si pasojë e mos rregullimit të ujësjellësit, ditëve të fundit ka filluar ta ndjej akoma më shumë këtë mungesë, si pasojë e rritjes së temperaturave dhe shpërdorimit të ujit nga stacionet e larjes së makinave apo amvisëri të ndryshme. Banorët që jetojnë në zonat e larta, iu bëjnë apel atyre banorëve të pandërgjegjshëm që lajnë rrugët apo makinat, të mendojnë pak për rajonet ku uji vjen vetëm 1 orë në ditë.

“Prej në mëngjes, prej në ora tetë nuk ka. Atyre që i lajnë rrugët, dënim duhet t`iu jepet. Përherë jemi pa ujë, ka një muaj e tepër. Si mundet kjo mos kemi ujë, ja shikoje”.
“Ujë nuk ka aspak, e rruga krejt me ujë është”.

“Normal mos keqpërdoret ajo, po normalisht edhe ujë nuk ka”.
“Si mos e marrin atë ujin atje lart me ujin do ketë probleme. Ato që i lajnë rrugët nuk është mirë ta bëjnë, ta lajnë rrugën me ujin e pijes nuk është mirë, disa lagje tanimë e shohin krizën e ujit”.
“Mungesa e ujit nuk vjen si pasojë e mungesës në burimet e malit Sharr, nga ku edhe furnizohemi me ujë, por janë pikërisht larjet e rrugëve siç e shihni këtu pas meje apo keqpërdorimi i ujit të amvisërisë, i cili sjell deri tek mungesa e ujit për lagjet e epërme”.

Nga ana tjetër, drejtori i Ndërmarrjes publike komunale “Tetova”, kërkon nga banorët që të heqin dorë nga shpërdorimet, pasi në të kundër do të përballen me gjoba të mëdha.

“Po, telashet kanë filluar. Ne dje dorëzuam edhe një apel deri tek mjetet e informimit, për shfrytëzimin racional të ujit. Mirëpo kontribut jashtëzakonisht të madh për mungesën e ujit japin edhe qytetarët që e keqpërdorin ujin. 410 litra në sekondë apo 390 litra, është sasi e mjaftueshme që të kenë qytetarët ujë, mirëpo temperaturat e larta, shfrytëzimi joracional i ujit, ujitja e parqeve trotuareve veturave, e bëjnë të veten”, tha Xhelal Ceka, Drejtor i NPP “Tetova”.

Ndërmarrja publike iu bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë raste të shpërdorimit të ujit për pije në numrat pa pagesë 0800 55 043 dhe 0800 808 10, me qëllim të parandalimit të shpërdorimit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat