Mjaft votuan të “vdekurit” le të votojnë të gjallët!

Maqedonia

Mjaft votuan të “vdekurit” le të votojnë të gjallët!

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 15:46

Ditëve të fundit partitë politike në Maqedoni po bëjnë plane se si të bëhen ndryshimet në Kodin zgjedhor të Maqedonisë. Opozita maqedonase kërkon që Lista zgjedhore të pastrohet nga të vdekurit dhe personat fiktiv, madje edhe të shkohet derë më derë që të regjistrohen votuesit e vërtetë e jo fantom, raporton Zhurnal.

Kjo situatë është edhe në favor të të dy partive shqiptare BDI-së dhe PDSH-së të cilat kërkojnë që lista zgjedhore të jetë e pastër nga votuesit fiktiv të cilët ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Plotë dy dekada votuesit fiktiv po përcaktojnë fituesin politik tek blloku politik maqedonas. Edhe përskaj kritikave të shumta në këtë drejtim, Maqedonia ende nuk ka bërë pastrimin e Listës zgjedhore, ku më shumë se 200 mijë votues vazhdojnë të qëndrojnë në listat zgjedhore.

Askush nga partitë politike maqedonase e më së paku kryeministri Gruevski nuk preferon që të pastrojë listën e vetme zgjhedhore ku gjenden persona të vdekur që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991 e deri më sot.

Kjo listë me votues fiktiv i garantoi VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Gruevski mandat të tretë gjatë nëntë viteve të fundit. Analistët janë të mendimit se Gruevski vetëm duke i keqpërdorur këta vota fiktive arrin të sigurojë një avantazh të madh prej 15 deri në 20 deputetëve të sigurt karshi opozitës.

Nga ana tjetër partitë shqiptare mezi arrijnë të sigurojnë vetëm 28 deputetë. Ky dallim mes shqiptarëve dhe maqedonasve bëhet edhe më i thellë për shkak se Maqedonia është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2014 partitë maqedonase mu në zemër të shqiptarëve në Tetovë, në njnësinë zgjedhore numër gjashtë nxorrën 5 deputetë. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) si organ i vetëm legjitim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor asnjëherë nuk e zgjodhi problemin me 30 mijë votuesit të cilët tepricë në njësinë zgjedhore numër gjashtë. Shqetësimet në Maqedoni u rritën edhe më tepër për shkak se me ligj iu garantohet mërgimtarëve të vendit që të votojnë deputetët e tyre të diasporës.

Bëhet fjalë për tre deputetë, njëri nga Evropa, tjetri nga Amerika, dhe tjetri nga Australia. Që të tre deputetët zgjedhen nga emigrantët që jetojnë dhe veprojnë jasht Maqedonisë. Kjo situatë preku thellë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë pasi me automatizëm VMRO-DPMNE i siguroi edhe tre deputetët e diasporës ndërsa partitë shqiptare mbetën duarthatë.

Me këtë u dëshmua se makineria dhe ushtria e partisë së Gruevskit ka kontroll të plotë ndaj institucioneve të shtetit, pasi është e palogjikshme që sa shqiptarë jetojnë në Evropë dhe Amerikë, të fitojë kandidati maqedonas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat