BDI dhe PDSH humbën shansin historik

Maqedonia

BDI dhe PDSH humbën shansin historik

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 15:41

Partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH humbën shansin historik që me marrëveshjen e fundit politike të detyronin kryeministrin Nikolla Gruevski që Maqedonia të shndërrohej në një njësi zgjedhore, raporton Zhurnal.
Në Marrëveshjen e 15 korrikut që e nënshkruan edhe liderët shqiptarë ai i BDI-së Ali Ahmeti dhe i PDSH-së Menduh Thaçi askund nuk shkruan se Maqedonia nga 6 do të bëhet një njësi zgjedhore.

Poqese do të kishte ndryshime shqiptarët e Maqedonisë me një njësi zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të fitonin të paktën 35 deputetë.

Maqedonia gjendet para një sfide të madhe për shkak se modeli zgjedhor më shumë se 20 vite është i pandryshueshëm dhe ka favorizuar partitë e mëdha në dëm të subjekteve më të vogla politike, shkruan Zhurnal.

Gjatë zgjedhjeve të kaluara parlamentare partia Demokracia e Re e Imer Selmanit edhe pse arriti të grumbullojë më shumë se 20.000 vota në katër njësitë zgjedhore ku jetojnë shqiptarët për shkak të shpërndarjes së votave në 6 njësi nuk arriti të sigurojë asnjë deputet.

Fatin e njëjtë e kishte edhe RDK-ja e Rufi Osmanit e cila në zgjedhjet e fundit arriti të fitojë rreth 30.000 votave por të ketë vetëm një përfaqësues në Parlament. Fat të ngjashëm kishte edhe partia e ish kryeminstrit Lubço Georgievski, VMRO-Partia Popullore e cila në zgjedhjet e vitit 2011, arritën të marrin 38.000 vota por pa fituar asnjë ulëse në përbërjen e atëhershme parlamentare.

Njohësit e mirë të këtyre çështjeve theksojnë se se poqese Maqedonia shndërrohet në një njësi zgjdhore atëherë shqiptarët mund të marrin deri në 40 deputetë duke i forcuar dukshëm pozicionet e partive shqiptare gjatë formimit të qeverisë së re, raporton Zhurnal.

Bashkim Bakiu nga Instituti për hulumtime politike dhe qeverisje të mirë vlerëson se sikur Maqedonia të bëhet me një njësi zgjedhore atëherë partitë shqiptare do të kenë pozicion shumë të favorshëm, sepse nuk do të humbet asnjë votë në çdo vend ku jetojnë shqiptarët.

Sipas tij, me një njësi zgjedhore disperzohet vota e partive maqedone, dhe nuk koncentrohet forca vetëm tek dy partitë VMRO dhe LSDM, por do të disperzohet në më shumë pjesë dhe në formimin e qeverisë nuk do të ketë fuqi ekskluzive vetëm një parti.

“Shqiptarët mund të bashkohen dhe të rradhiten si forcë e dytë e cila mundet edhe të themelojë qeverinë e re. Edhe një përparësi tjetër në këtë sistem është se partitë maqedone deri më tani i kanë bashkuar minoritetet tjera në interes të tyre, kurse me një njësi zgjedhore shqiptarët mund t’i bashkojnë turqit, romët, boshnjakët, torbeshët dhe në atë rast të arrihet një forcë që mund të renditet si e para dhe kështu shqiptarët të fitojnë rreth 40 deputetë”, deklaroi për Zhurnal, Bashkim Bakiu nga Instituti për hulumtime politike dhe qeverisje të mirë.

Ai potencon se realisht partia maqedonase në qeveri çdo herë i ka shfrytëzuar votat e minoriteteve, siç janë: romët, turqit, serbët dhe etnitë tjera më të vogla. Bakiu konsideron se edhe nëse rritet nataliteti i shqiptarëve me këtë sistemzgjedhor që është aktualisht në Maqedoni, përsëri partitë maqedonase do të fitojnë më shumë deputet se sa partitë shqiptare. Prandaj, ky sistem aktual zgjedhor është tepër diskriminues për shqiptarët.

“Trendi i natalitetit edhe pse është në rritje tek shqiptarët, mirëpo përsëri me këtë sistem zgjedhor numri i deputetëve maqedonas do të jetë më i madh. Në njësinë 3 dhe 4 zgjedhore gara është etnike. Atje partitë maqedonase i garantojnë 40 deputetë. Edhe sikur 55 për qind e popullsisë në Maqedoni të ishte shqiptare përsëri partitë maqedonase do të fitonin më shumë deputetë se sa partitë shqiptare. Në njësinë e 3 zgjedhore maqedonasit mund të fitojnë një deputet me 3.000 vota kurse në njësinë e 6 zgjedhore shqiptarët mezi me 8.000 fitojnë një deputet”, thotë Bashkim Bakiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat