Orav: Ky është shansi i fundit për Maqedoninë

Maqedonia

Orav: Ky është shansi i fundit për Maqedoninë

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 14:02

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Aivo Orav kësaj radhe nuk ka patur retorikë diplomatike por në intervistën e për servisin publik Televizionin e Maqedonisë (TVM) ka bërë me dije se Maqedonia e ka shansin e fundit për të dalë nga kriza politike, në të kundërtën do të mbetet larg integrimeve për në BE dhe NATO.

Sipas tij, testi i parë është emërimi i prokurorit publik special që duhet të fillojë me punë nga 15 shtatori i këtij viti.

“Shpresoj se partitë do të gjejnë zgjidhje duke komunikuar mes vete, por nëse paraqitet nevoja përsëri edhe ne mund të ndihmojmë. Çështja e dytë kritike është data e 20 tetorit, kur duhet të emërohen dy ministrat e rinj dhe 5 zëvendësministrat. Më kritike është Ministria e Punëve të Brendshme”, ka deklaruar Euroambasadori Orav në intervistën dhënë servisit publik në vend.

Sipas tij, Maqedonia më nuk ka kohë për të humbur por reformat duhet të zbatohen në praktikë dhe urgjentisht. Ai thotë se që Maqedonia të integrohet në BE duhet ti realizojë në praktikë dy dokumentet e Brukselit. E para ka të bëjë me reformat urgjente ndërsa e dyta ka të bëjë me raportin e Pribes.

Madje, ai thotë se qeveria së bashku me opozitën dhe sektorin joqeveritar duhet të shfrytëzojnë këtë shans, duke e realizuar Marrëveshjen 100 për qind, në të kundërtën me siguri se nuk do të ketë mundësi të re.

Ai u bëri thirje mediave dhe gazetarëve që të raportojnë në mënyrë kritike.

“Mediumet dhe gjyqësori në raportin e fundit për përparimin e vendit morën shumë kritika dhe vërejtje. Mirëpo, është interesant se shumë media në vend nuk dëshironin të raportojnë për ato kritika që ishin të evidentuara në raportin për progresin e vendit. Ne dhamë një listë të rekomandimeve dhe të njëjtat duhet të realizohen. Por, para së gjithash liria e mediave duhet të fillojë nga gazetarët dhe redaktorët. Nëse ekziston vetëcenzurë si mund të kemi gazetari profesionale? Nëse gazetarët dhe redaktorët por frikësohen nga dikush se si të raportojnë dhe kjo pritet të bëhet nga servisi publik. RTVM është çështja kyçe pasi financohet nga taksat e qytetarëve ndërsa ata presin nga ju një raportim të pavarur dhe profesional”, ka deklaruar Euroambasadori Orav.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat