Ekspertët: Pas Prokurorit special, duhet edhe Gjykatë speciale

Maqedonia

Ekspertët: Pas Prokurorit special, duhet edhe Gjykatë speciale

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 12:34

Ekspertët juridik vlerësojnë se pas emërimit të prokurorit publik special duhet të formohet edhe repart i ri gjyqësor i cili do ti procesuojë të gjitha rastet që do të hetohen nga prokurori i ri.

Profesori universitar Mersim Maksuti kërkon urgjentisht që në Maqedoni të hapet një gjykatë speciale e cila do të procesuojë lëndët të cilat kanë të bëjnë me aferën e përgjimeve ku shumë funksionarë të Qeverisë së Maqedonisë dyshohet se janë të involvuar në krim dhe korrupsion.

Sipas tij, duhet të formohet një repart i ri gjyqësor i cili do të vendos për të gjykuar në bazë të prokurorit publik special.

“Më saktë mendoj se në sistemin tonë gjyqësor duhet që në Gjykatën themelore Shkupi 1 të formohet një repart i ri ku do të procesuohen të gjitha rastet të cilat do ti ndjek prokurori publik special. Po ashtu edhe në Gjykatën e Apelit duhet të formohet një repart i ngjashëm”, ka deklaruar profesori Mersim Maksuti, raporton Zhurnal.

Ndërkohë profesoresha, Sllagjana Taseva mendon se prokurori i ri special duhet të ketë një ekip të fuqishëm dhe buxhet të madh, por paraprakisht të bëhen ndryshime të ligjit me çka prokurori i ri do të kishte ingerenca të pavarura.

“Duhet që para kohe të qartësohen punët, fillimisht të bëhen ndryshimet e ligjit dhe më pas të emërohet prokurori i ri pasi në këtë rast nuk mundet që vetëm një njeri ta kryejë gjithë punën. Prokurori duhet të ketë ekipin e vet, duhet të ketë buxhet, përgjegjësi dhe ingerenca duke patur komunikim të drejtëpërdrejtë me Parlamentin dhe duhet të jetë i pavarur nga Prokurori aktual Zvërlevski. Që do të thotë se duhet patjetër të qartësohen punët me qëllim që të shmangen paqartësitë”, deklaroi profesoresha Taseva.

Ajo nuk beson se rasti Monstra dhe Televizioni A1 mund ti jepet për shqyrtim prokurorit të ri special. Sipas saj, kjo është e pamundshme për shkak se këto raste veç më gjenden në procedurë gjyqësore.

“Rastet të cilat veç më janë procesuar si Monstra , Televizioni A1 personalisht nuk besoj se do të mund ti dorëzohen prokurorit publik special”, thekson Taseva.

Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) përmes Euroambasadorit Aivo Orav inkurajon partitë politike që të respektojnë Marrëveshjen e 15 korrikut me qëllim që të fillojnë reformat të cilat i kërkon Brukseli e që i garantojnë Maqedonisë vazhdimin e procesit eurointegrues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat