Mblidhet sërish Grupi i punës, diskuton rreth listës zgjedhore

Maqedonia

Mblidhet sërish Grupi i punës, diskuton rreth listës zgjedhore

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 23:59

Votimi i diasporës dhe lista e votuesve janë dy pikat për të cilat aktualisht diskutojnë grupet punuese partiake me ndërmjetësim edhe të ekspertit Peter Vanhoutte, të cilat kanë filluar me implementimin e marrëveshjes së 2 Qershorit. Drejtuesi i iniciativës qytetarë, “Most”, Darko Aleksov, tha se në takimin paraprak, OSBE, eksperti belg dhe përfaqësuesit partiak kanë marrë edhe mendimin e sektorit civil dhe ekspertëve për këto dy pika. Aleksov tha se “Most” ka propozuar që për listën e ardhshme zgjedhore t’i jepen të gjitha kompetencat Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe jo të furnizohet me të dhëna që do t’i ofrojë Ministria e Punëve të Brendshme. Grupet e punës shqyrtojnë edhe propozimin për paraqitje paraprake të votuesve.

“Dhamë propozim që të shkohet me regjistrim aktiv të votuesve, që nuk është edhe i re si propozim i MOST. Me regjistrimin aktiv dhe përpilimin e listës krejtësisht të re të votuesve, në fakt, KSHZ do të jetë institucioni, apo organi që do të mund dhe do të jetë pronar i plotë i listës zgjedhore. Nëse diçka nuk shkon në rregull do të mund ta lokalizojmë në mënyrë precize përgjegjësinë dhe në mënyrë adekuate edhe të veprojmë”, tha Darko Aleksov, “Most”.

Most, ka kërkuar ndryshim edhe për diasporën, duke kundërshtuar modelin aktual për voton e deputetëve që vijnë nga jashtë.
“Kemi mungesë serioze balance në vlerën e votave me të cilat është zgjedhur një deputet në diasporë, vizavi, votave që nevojiten për t’u zgjedhur një deputet në Maqedoni në cilëndo qoftë nga gjashtë njësitë. E dini se në njërën nga njësitë zgjedhore kishim deputetë nga diaspora me 900 vota, ndërsa në Maqedoni pragu më i ulët është mes 7 500 deri 8000 vota”, u shpreh Darko Aleksov, “Most”.
Aleksov e vlerësoi si pozitive praktikën e konsultimit të sektorit joqeveritar dhe sugjeroi edhe zgjerimin e spektrit të ekspertëve që mund të kontribuojnë në përmirësimin e procesit zgjedhor në Maqedoni. Optimist për rezultate pozitive nga grupet punuese është shprehur edhe eksperti belg, Peter Vanhoutte.

“Unë jam gjithmonë optimist. Kjo është puna ime. Sikur të mos isha optimist, nuk do të isha këtu”, theksoi Peter Vanhoutte, ndërmjetësues në grupet e punës.
Grupet e punës pritet ët diskutojnë edhe zbrazëtirat në Kodin Zgjedhor, modelin zgjedhor, njësitë zgjedhore si dhe përbërjen e KSHZ-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat