Komisioni parlamentar viziton DSK-në, shtrohet edhe çështja e Kumanovës

Maqedonia

Komisioni parlamentar viziton DSK-në, shtrohet edhe çështja e Kumanovës

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 20:02

Në vizitën e radhës të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e shërbimeve të inteligjencës, në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, mori pjesë edhe deputeti i BDI-së Zulfi Adili, i pajisur vetëm pak ditë më parë me certifikatën e sigurisë. Ndërkohë që anëtari tjetër shqiptar nga radhët e PDSH-së Ernad Fajzullahu, nuk mori pjesë në këtë vizitë. Pas takimit prej rreth 1 orë e gjysmë me drejtuesit e DSK-së, Adili theksoi se ka hapur të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit dhe rajonit. Ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, Adili aludoi se në tryezë janë shtruar edhe dilemat rreth aksionit të Kumanovës.

“I hapëm të gjitha temat të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë, sigurinë e vendit dhe kanosjet që ndoshta ka rajoni dhe Maqedonia si shtet. Shqiptarët janë në vendin e vet, në shtëpitë e veta dhe kërkojnë transparencë dhe siguri pikërisht nga këto institucione.... Ta kuptojnë të vërtetën se DSK është vetëm një institucion që duhet të kujdeset për sigurinë e qytetarëve, sigurinë e pronës të qytetarëve dhe sigurinë e vendit. Dhe mos jenë mbi të gjitha ashtu siç pretendojnë të jenë”, deklaroi Zulfi Adili, anëtar i Komisionit.

Komisioni parlamentar megjithatë, nuk inspektoi pajiset dhe punën e DSK-së, por thjesht zhvilloi biseda me drejtuesit e tij. Ndërkaq edhe pse është hapur çështja e aferës së përgjimeve, Antonio Milloshoski nuk deshi të jepte hollësi rreth kësaj teme.

“Ajo pjesë që është më aktuale për opinionin lidhur me aferën e fundit politike dhe të zbulimit është pjesë e një procesi gjyqësor dhe të prokurorisë publike dhe për hollësitë e tjera duhet t’i drejtoheni këtyre institucioneve”, tha Antonio Milloshoski, anëtar i Komisionit.

Komisioni ka kërkuar sqarim rreth kompetencave të DSK-së për ndjekjen operative të personave të dyshuar si të rrezikshëm për shtetin. DSK-ja dhe Agjencia për zbulim deri në fund të muajit gusht duhet të dorëzojnë raport për punën dhe funksionimin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat