Në mbrojtjen e grupit të Kumanovës do të kyçen ekspertë nga SHBA

Maqedonia

Në mbrojtjen e grupit të Kumanovës do të kyçen ekspertë nga SHBA

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 09:48

Ekspertë të më shumë sferave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të angazhohen në përgatitjen e mbrojtjes së shqiptarëve të arrestuar gjatë “konfliktit të Kumanovës”. Angazhimi i tyre do të bëhet përmes Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, paralajmëron kryetari i kësaj Akademie, Skënder Kodra. Ai ka qëndruar disa ditë në Maqedoni, ku është takuar me avokatin mbrojtës Naser Raufi dhe avokatë tjerë të angazhuar në këtë rast, duke diskutuar për nevojat që i kanë.

“Kam ardhur të takohem me avokatët mbrojtës që të ju shpreh gatishmërinë për t’i ndihmuar me ekspertë juridikë, me ekspertë të kriminalistikës, unë si psikolog që punoj tani disa dekada. Do t’a ndihmojmë mbrojtjen me gjithçka që kanë nevojë, sepse rastin e Kumanovës nuk gjykohen vetëm ata që janë arrestuar”, deklaroi për “Lajm” profesori Skënder Kodra, i cili ka vizituar edhe banorët e Lagjes së Trimave që pësuan dëme.

Në takim ishte prezent edhe kryetari i IGFM-së për Maqedoni, Idriz Sinani.

“Është për t’u çmuar gatishmëria e shqiptarëve të Amerikës për të ndihmuar në këtë rast. Ata gjithmonë kanë ndihmuar shqiptarët kur kanë pasur nevojë prandaj nuk habitemi që edhe tani të parët kanë treguar gatishmëri të ndihmojnë për lirimin e të arrestuarve”, deklaroi Sinani.

Paralajmërimin për angazhim të ekspertëve amerikanë në mbrojtjen e të arrestuarve në rastin e Kumanovës e ka përshëndetur edhe Shaban Demiri, kryetar i këshillit të emergjencës të formuar pas aksionit policor në Lagjen e Trimave.
Ndryshe të martën (sot) prokuroria do të fillojë të marrë deklarata nga të arrestuarit në rastin e Kumanovës dhe me këtë formalisht do të fillojë procesi gjyqësor kundër të arrestuarve në “konfliktin e Kumanovës”. Marrja e deklaratave nga ana e prokurores do të fillojë të martën, te të arrestuarit në burgun e Shutkës, kurse më pas do të vazhdojë edhe në burgun e Prilepit dhe Manastirit. Avokatët janë ankuar për shkak se prokuroria deri tani nuk u ka afruar asnjë detal lidhur me përmbajtjen e aktakuzës me arsyetim se pa i grumbulluar deklaratat e të arrestuarve, një gjë e tillë nuk është e mundur.

Në konfliktin e Kumanovës humbën jetën tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. 30 prej grupit të armatosur u dorëzuan, ndërsa ministria në deklaratën e 9 majit tha se grupi i organizuar kishte qëllim sulme terroriste ndaj institucioneve të Maqedonisë.

Jo zyrtarisht, në këtë rast janë ngritur padi ndaj 33 personave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat