AI: Emigrantët dhunohen në Ballkan

Maqedonia

AI: Emigrantët dhunohen në Ballkan

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 20:52

Situata me emigrantët në Gjevgjeli mbetet alarmante. Problem shtesë paraqesin temperaturat e larta që përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të tyre, edhe ashtu të rraskapitur. Nga OJQ “Legis” denoncojnë edhe një sërë parregullsish sistemore në terren gjatë implementimit të ndryshimeve ligjore për azil. “Legis” pohon se edhe transporti me trena është reduktuar, prandaj kërkohen orare speciale që do të zvogëlonin kohën e pritjes në qiell të hapur.

“Reagimi është shumë i ngadaltë. Ka shumë probleme në terren. Njerëzit presin në 40 gradë duke pritur vërtetimet në qiell të hapur. Në Gjevgjeli nuk ka tenda ku do të mund të strehohen. Nuk ka konsideratë për gjendjen e kategorive të rrezikuara..(02:11)Trajtim jo human është edhe lënia e tyre në pritje dy ditë për një vërtetim ashtu siç ndodhi dje. Shumica e emigrantëve vazhduan të presin deri sot. Nuk kishte letër, kuadro, përkthyes. (00:39) Edhe pse kemi apeluar deri tek hekurudhat që të lëshohen më shumë trena, ato madje gjatë ditës së djeshme lëshuan tren me kapacitet më të vogël se ai i përparshmi. Shumë fëmijë dhe gra mbetën pa hipur në tren. Gjatë komunikimit me ta i pamë se ishin të rraskapitur, shumica prej tyre kishin qenë të bllokuar 4 deri 5 ditë në zonën e përbashkët kufitare me Greqinë, që kontrollohet nga forcat speciale maqedonase”, u shpreh Mersiha Smailoviç, OJQ “Legis” .

Për gjendjen e rëndë të mijëra emigrantëve në Maqedoni dhe në Ballkan flet edhe raporti i fundit i lëvizjes globale Amnesty International i publikuar sot. Ata denoncojnë se emigrantët, përfshi këtu edhe shumë fëmijë, çdo ditë janë të eksponuar ndaj dhunës dhe shantazhit të pushtetit dhe grupeve kriminale të Ballkanit. Veprimet ose mos veprimet e Maqedonisë, Serbisë dhe Hungarisë cilësohen si të turpshme dhe jo humane. Amnesty, bazuar në deklaratat e mbi 100 refugjatëve, pohon se përveç nga trafikuesit, refugjatët janë keqtrajtuar edhe nga policia në të tre shtetet, e cila shpeshherë i kthen emigrantët prej ku kanë ardhur.

“Refugjatët që ikin nga lufta dhe përndjekja e bëjnë këtë udhëtim nëpërmjet Ballkanit, me shpresë se në Evropë do të gjejnë siguri. Por e vetmja gjë që gjejnë këtu është vetveten si viktima të dhunës dhe keqpërdorimeve, si dhe në mëshirë të sistemeve të dështuara për azil. Serbia dhe Maqedonia janë shndërruar në një pikë grumbullimi të emigrantëve dhe refugjatëve që askush në BE nuk ka dëshirë ti pranojë” , thuhet në shkrimin hyrës të raportit.

Edhe në këtë raport, Maqedonia kritikohet për kushtet në Qendrën e Pritje në Gazi Babë dhe mbajtjen e pabazë të emigrantëve si dëshmitarë në proceset kundër trafikuesve. Amnesty International ka bërë disa herë kërkesë për inspektim brenda objektit por nuk është lejuar. Mësohet se vetëm nga fillimi i këtij viti, në këtë qendër janë mbajtur më shumë se 1 mijë emigrantë mes të cilëve edhe shumë fëmijë. Ministria e Punëve të Brendshme së fundmi ka ndarë mbi 9 mijë vërtetime për emigrantët që kanë shprehur dëshirën për azil. Vetëm gjatë fundjavës janë dhënë mbi 1 mijë vërtetime. Në qendrën e pritje të azilkërkuesve në Vizbeg policia njofton se kanë ngelur vetëm 33 persona, ndërkohë që në qendrën e pritjes në Gazi Babë afro 50 që vazhdojnë të mbahen derisa të merren në pyetje nga prokuroria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat