Thaçi: PDSH nuk do të jetë në Qeverinë kalimtare

Maqedonia

Thaçi: PDSH nuk do të jetë në Qeverinë kalimtare

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 18:02

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi thotë se partia e tij nuk do të jetë pjesë e qeverisë kalimtare, që pritet të formohet si rezultat i negociatave për daljen e Maqedonisë nga kriza.

“PDSH as do të jetë pjesë e kësaj qeverie e as nuk do të votojë këtë qeveri. Si kompensim, ne do të kërkojmë përfshirje meritore të PDSH-së në institucionet që do të formohen për organizim të zgjedhjeve fer dhe demokratike, si dhe në komisionin anketues për ndriçimin e të vërtetës rreth të ashtuquajturave ‘bomba’”, deklaroi Thaçi për “Lajm”, gjatë një brifingu që pati me gazetarë në Tetovë.

Pas kësaj deklarate të kryetarit të PDSH-së, pritet që qeveria kalimtare të formohet nga VMRO-DPMNE-, LSDM dhe BDI.

Thaçi shtoi se si komnepsim për heqjen dorë nga postet qeveritare, PDSH do të insistojë për pranim të shtatë kërkesave kryesore të kësaj partie, në mesin e të cilave janë zyrtarizimi i plotë i shqipes, miratimi i buxhetit me shumicë të dyfishtë, realizimi i procesit të regjistrimit, ndarje të re territoriale, deetnizim të simboleve shtetërore, etj.

Ai përjashtoi mundësinë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më herët ose më vonë se muaji prill i vitit të ardhshëm.

“Në marrëveshjen e nënshkruar nga liderët thuhet se zgjedhjet do të mbahen në prill dhe kjo nuk mundet të ndryshojë. A do të mbahen në fillim, në mes, apo në fund të prillit, kjo ka pak rëndësi, mirëpo zgjedhjet do të mbahen në prill”, theksoi Thaçi, duke shtuar se nga dy qershori nuk ka dialog (HLAD) mes qeverisë dhe Bashkimit Evropian por dialog mes katër liderëve politike dhe Komisionit Evropian.

“Ju para disa ditëve dëgjuar demantet e partive politike maqedonase se ne nuk paskemi biseduar për cështjen e emrit në takim të liderëve. Edhe një herë e përsëris. Nëse në kuadër të këtij të sponsorizuar nga Bashkësia Ndërkombëtare, sidomos çështja e emrit nuk zgjidhjet, ky dialog do të jetë i pakuptimtë”, shtoi ai.

Ndryshe siç ka raportuar mbrëmë “lajmpress”, në fjalimin e mbajtur me rastin e përvjeorit të themelimit të partisë, kryetari I PDSH-së tha se është gatshëm të flasë me RDK-në dhe Besën “edhe me të gjithë të tjerët që janë dakord se për tu ndryshuar pozita e shqiptarëve në Maqedoni, të gjithë së bashku në Prillin e vitit të ardhshëm duhet të votojmë kundër BDI dhe Ali Ahmetit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat