Pushteti s’e ka ndërmend të heqë dorë nga kontrolli mbi mediat

Maqedonia

Pushteti s’e ka ndërmend të heqë dorë nga kontrolli mbi mediat

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 14:01

Qeveria edhe pse bëri të ditur se do të heqë dorë nga reklamimi në mediat e vendit, megjithatë shteti do të tentojë që të gjejë mënyra tjera për të mbajtur kontrollin e mjeteve të informimit, vlerësojnë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), raporton Zhurnal.
Sipas tyre, pushteti do të tentojë që të gjejë mënyra tjera për të mbajtur kontrollin e mediave. Ekspertët janë të mendimit se vendimi i fundit i qeverisë që të ndërpritet reklamimi në mediat është i pasinqertë sepse pushteti më shumë se 9 vite ka pasur ndikim të madh mbi to.

Sipas tyre, ndoshta qeveria nuk do të reklamohet aq shumë si është bërë deri më tani, por nuk e përjashtojnë mundësinë që të gjejnë forma tjera për reklamim. Kryetari i SHGM-së Naser Selmani thotë se një nga mënyrat për të anashkaluyar këto masa është financimi i produksioneve vetanake të mediave.

“Për shembull, mund ta ndërpresin reklamimin, por do ti rrisin mjetet financiare për produksionin vetanak të televizioneve. Qeveria dy vitet e fundit shpërndan mbështetje financiare për televizionet dhe askush nuk e din se sa para janë dhënë për atë qëllim. Në vendet demokratike qeveria mund të subvencionon media, por ajo më së shpeshti ndodh me mediat e shtypura dhe ato lokale të cilët ballafaqohen me një sërë problemesh për të ekzistuar në treg. Por, askund nuk ndodh që të subvencionohen televizione nacionale të cilat janë media më të fuqishme dhe duhet në mënyrë të pavarur të mbijetojnë”, thotë Selmani, raporton Zhurnal.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë që të bllokojë publikimin e fushatave qeveritare e vlerëson si pozitiv, por ato masa nuk do të japin rezultate në qoftë se qeveria nuk dërgon mesazh të qartë tek mediat se nuk do të ketë më këso lloj reklamime shtetërore.

Selmani thekson se mediat duhet që ardhmërinë ta gjejnë në tregun medial, përmes shpalljeve të sektorit privat, ndërsa paratë e shtetit mund të tërhiqen që të fitohet një treg real medial dhe derisa kjo nuk ndodh në Maqedoni nuk do të ketë media të lira dhe profesionale.

Nga ana tjetër Petrit Saraçini nga Instituti Maqedonas për Media (IMM) thotë se Qeveria nuk do të heqë dorë nga ndikimi politik ndaj mediave. Ai vlerëson se nëse Qeveria do të kishte një vullnet të këtillë do ta kishte bërë gjatë 9 viteve të kaluara, por kjo qeveri në mënrën më brutale bëri reklamimin dhe në mënyrë të suksesshme ndikoi në politikën redaktuese të mediave.

“Athua vallë kjo që ndodh është për shkak të dialogut i cili po zhvillohet tani nën mbikëqyrje të madhe të komunitetit ndërkombëtar. Forma për anashkalim ka edhe atë siç përmenda shpalljet, furnizimet publike dhe konkurset të cilat duhet të publikohen në media. Do të shohin nëse vallë do të ndryshohet të paktën mënyra se si do të distribuohen këto mjete të cilat janë të domosdoshme për punë tjera. Gjithsesi se nëse ka konkurs, patjetër ai të shpallet. Ndryshe, qeveria javën e kaluar vendosi moratorium të të gjithë reklamat qeveritare tek mediat”, ka deklaruar Petrit Saraçini.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat