Nesër, takim i ri liderësh!?

Maqedonia

Nesër, takim i ri liderësh!?

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 21:04

Nesër pritet një takim i ri liderësh, megjithëse burime partiake për Alsat theksojnë se një gjë e tillë nuk është precizuar akoma. Gruevski dhe Zaev as pas takimit të ndarë që patën disa ditë më parë nuk arritën t’i përafrojnë qëndrimet. Koha e tërheqjes e kryeministrit Gruevski si dhe çështjet lidhur me ministrin e brendshëm dhe Prokurorit Publik, mbeten pikat më problematike në këto bisedime për të cilat palët nuk arrijnë dot kompromisin. Në një situatë të tillë, palët nuk kursejnë as akuzat e ndërsjella. Zaev sqaroi mbrëmë, se për disa linja të kuqe, LSDM-ja nuk lëshon pe.

“Bisedimet i zhvillojmë në mënyrë serioze, por të çliruar nga presioni. Për disa linja të kuqe nuk mund të lëshojmë pe. Argumentet janë në anën tonë. Qëndrimet tona janë gjendjet e vërtetuara në të gjitha raportet e fundit të Departamentit të Shtetit, të grupit të ekspertëve të Komisionit Evropian të udhëhequr nga Rajnhard Pribe, të Kombeve të Bashkuara. Fundi i Gruevskit ka ardhur, largimi i tij është çështje modaliteti”, theksoi Zaev.

Më herët, kryeministri Gruveski e akuzoi liderin e opozitës se përmes parashtrimit të kushteve të palogjikshme përpiqet të pengojë arritjen e marrëveshjes. Madje sipas Gruevskit, Zaevi duke e zgjatur periudhën e krizës politike dëshiron të dëmtojë edhe ekonominë e vendit, me qëllim që qytetarët të fillojnë të dëshpërohen nga VMRO-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat