Shumë drejtime në “pauzë”, dështim i sistemit të disperzuar të USHT-së

Maqedonia

Shumë drejtime në “pauzë”, dështim i sistemit të disperzuar të USHT-së

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 08:27

“Do të formojmë edhe tre fakultete të reja, atë bujqësor, fakultetin për gjeoshkencë dhe teknologji dhe fakultetin pedagogjik në kuadër të Universitetit në Tetovë”,- kishte thënë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi pas takimit me rektorin e USHT-së, në gusht të vitit të kaluar. Mirëpo e vërteta është diametralisht e kundërt. Jo që u hapën të tre këto fakultete të reja, por ndër vite vetëm se u rrit numri i drejtimeve “në pauzë” dhe nga 41 drejtimet e disperzuara, aktualisht 29 prej tyre janë duke pauzuar. Që kur ka filluar të zbatohet sistemi i disperzuar, mësojmë se drejtimet që pauzojnë nuk rinisin me punë.

Ashtuqë sipas konkursit të USHT-së për vitin akademik 2015/16 studentët e rinj në Tetovë nuk do të kenë mundësi të regjistrohen në këto 11 drejtime:

• Informatika në gjuhën angleze, Matematika në financa dhe biznes (Fakulteti i shkencave matematiko-natyrore);
• Filozofi, Filologji orientale (Fakulteti Filozofik);
• Aktrim, Tv dhe regji filmi, Kamerë, Montazhë- tv dhe montazhë filmi (programi studimor “Arti dramatik”, Fakulteti i arteve);
• Studime në gazetari, Studime politike në gjuhë angleze (Fakulteti Juridik);
• Të ushqyerit (Fakulteti i teknologjisë ushqimore dhe të ushqyerit);

Pavarësisht revoltës së studentëve në tetor të vitit 2013, ndaj mbylljes së 10 programeve të disperzuara, që sipas tyre është tentim për deshqiptarizim të Shkupit, këtë vit në Shkup në pauzë janë 12 drejtime, edhe atë:

• Kimi-Fizikë, Matematikë, Informatikë, Biologji (Fakulteti i shkencave matematiko-natyrore);
• Filologji orientale, Psikologji (Fakulteti Filozofik);
• Gjuhë dhe letërsi angleze, Gjuhë dhe letërsi gjermane (Fakulteti Filologjik);
• Studime politike (Fakulteti Juridik);
• Administratë publike (Fakulteti i administrim biznesit);
• Ekonomi dhe biznes (Fakulteti ekonomik). Studentë të rinj do të mund të regjistrohen vetëm në 10 drejtimet e mbetura.

Në Kërçovë në pauzë janë 4 drejtime:

• Informatikë (Fakulteti i shkencave matematiko-natyrore);
• Gjuhë dhe letërsi angleze, Gjuhë dhe letërsi gjermane (Fakulteti filologjik);
• Administrim biznesi (Fakulteti i administrim-biznesit).
Pra studentë të rinj mund të regjistrohen në dy drejtime: Studimet e drejtësisë (Fakulteti Juridik) ose Financa dhe kontabilitet (Fakulteti ekonomik).

Në Kumanovë në pauzë janë 3 drejtime:

• Administratë publike (Fakulteti i administrim-biznesit),
• Informatikë e
• Gjuhë dhe letërsi angleze.
Kështu në drejtimin e vetëm, Administrim biznesi (Fakulteti i administrim-biznesit) ka mundësi regjistrimi për 120 studentë të rinj.

Përndryshe, në pauzë janë të gjitha drejtimet në Dibër, si:

• Gjuhë dhe letërsi angleze,
• Gjuhë dhe letërsi gjermane,
• Gjuhë dhe letërsi italiane në pauzë,
• Gjuhë dhe letërsi frënge,
• Fizioterapi.

Poashtu në Strugë janë në pauzë të gjitha drejtimet ekzistuese:

• Ekologji,
• Gjuhë dhe letërsi gjermane,
• Ekonomi dhe biznes.

Dhe jo vetëm kaq, në pauzë janë edhe:

• Administrim biznesi dhe
• Administratë publike, si studime të disperzuara në Tetovë.

Me këtë rast, zëdhënësi i USHT-së, Selam Sulejmani, për Portalb deklaroi:

“Për vitin akademik 2015/16 kemi publikuar konkurs. Pra USHT ka 11 fakultete, mbi 35 programe studimore dhe 100 drejtime studimore. Në konkurs poashtu janë edhe kriteret që duhet t’i plotësojnë studentët e rinj, si ato nga vendi ashtu edhe ato nga jashtë”. Duke sugjeruar se në konkurs mund të shihen të gjitha drejtimet që janë në pauzë, ai theksoi “Nuk dua të flas për ndonjë fakultet në veçanti. Por të gjitha vendimet që merrën në universitet, merren në kuadër të përcaktimeve të arsimit të lartë në Maqedoni”.

USHT u themelua më 17 dhjetor të vitit 1994 si iniciativë e intelektualëve shqiptar, të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme apolitike dhe të gjithë dashamirësve të arsimit të lartë në vend dhe më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat