Ja sa emigrantë hyjnë në Maqedoni për një ditë

Maqedonia

Ja sa emigrantë hyjnë në Maqedoni për një ditë

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 18:10

Mbi 1.000 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme kanë hyrë gjatë ditës së kaluar në Maqedoni. Mediat në Shkup raportojnë se pala greke nuk po siguron si duhet kufirin me Maqedoninë, prandaj numri i refugjatëve që kalojnë ilegalisht çdo ditë po rritet.

Kryesisht, emigrantët e shfrytëzojnë Maqedoninë si vend tranzit, për të kaluar në Serbi e më pas në shtetet e Evropës perëndimore. Megjithatë, bëhet e ditur se edhe në Maqedoni tanimë janë dorëzuar kërkesat e para për azil. Një ditë më parë 17 shtetas të Sirisë, prej të cilëve 6 burra, 7 gra dhe 4 fëmijë kërkuan azil në vend, raporton Top Channel.

Bashkë me fluksin e refugjatëve shtohen edhe problemet dhe fatkeqësitë e tyre në Maqedoni, ku vetëm këtë vit kanë humbur jetën rreth 30 shtetas nga Siria dhe Afganistani.

Aktivistët e shoqërisë civile raportojnë për shumë emigrantë të sëmurë dhe të plaçkitur, sidomos në zonën kufitare me Greqinë. Ndërkohë, nga policia maqedonase paralajmërojnë se në ditët në vijim pritet një valë e re emigrantësh.

Nga ana tjetër, edhe krahas kritikave të shumta ende nuk janë marrë masa për përmirësimin e kushteve në qendrën e pritjes së refugjatëve në Shkup, apo për dislokimin e kësaj qendre në ndonjë vend më të përshtatshëm.

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Mehmeti, ditë më parë kërkoi nga qeveria që t’i qaset më seriozisht situatës së krijuar me emigrantët nga Lindja e Mesme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat