Maqedonia largohet nga eurointegrimet

Maqedonia

Maqedonia largohet nga eurointegrimet

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 07:49

Duket se, marrëveshja e 2 qershorit, ngadalë, por sigurt po zbatohet në praktikë. Këtë e tregojnë reagimet e fundit të pushtetit dhe opozitës, që me siguri duan të jenë bashkëpunues përderisa zgjatin bisedimet dhe të japin përshtypje pozitive para vëzhguesve të jashtëm. Megjithatë, zgjatja e krizës politike po vazhdon të rëndon proceset e Maqedonisë drejt eurointegrimeve.

Ish ministri i jashtëm i Maqedonisë, Denko Maleski thotë për Portalb se nuk mund të mendohet për eurointegrime pa u zgjidhur një herë kriza politike në vend

“Ne po ballafaqohemi me demokracinë jo funksionale, ku partia politike e cila po udhëheq me shtetin nuk e kupton se ajo nuk mund të zgjidh problemin, pasi që ishte vetë ajo që solli këtë krizë demokratike. Nuk mund të mendohet për eurointegrime pa u zgjidhur një herë kriza politike në vend. Përgjimi dhe kontrolli mbi shoqërinë, deputetë të cilët përfaqësojnë vetveten, nuk mund të zgjidhin krizën”, tha Maleski.

Ai shtoi se demokracia është thyer në çdo aspekt dhe se shpresoj që sa më shpejt të arrihet marrëveshje dhe të zgjidhet kjo krizë politike e cila ka kapluar dhe po shkatërron Maqedoninë.

Në takimin e fundit të liderëve nuk u arrit ndonjë marrëveshje por Gruevski ua ka prezantuar planin për reforma, me ç’rast mbeti që sërish të ketë një takim mes 4 lidërëve.

Kryetari i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni, Ismet Ramadani thotë se me mos arritjen e një marrëveshje, Maqedonia po vazhdon të largohet nga Bashkimi Evropian.

“Me zvarritjen e punës dhe me takimet e liderëve pa marrëveshje po thellohet edhe më shumë kriza politike në vend. Maqedonia më parë nuk i plotësonte disa kushte dhe standarde, kurse tani ato janë shumëfishuar sepse kriza politike ka marrë përmasat e jostabilitetit në vend dhe kjo dukshëm do të ngadalësojë rrugëtimin e vendit drejt BE-së”, tha për Portalb, Ramadani.

Ai shtoi se e vetmja zgjidhje është që të krijohet një qeveri ekspertësh, sepse nëse nuk arrihet një gjë e tillë, nuk besoj që do të tejkalojmë krizën.

“Dikush që ka futur vendin në një krizë kaq të thellë nuk mund ta nxjerrë atë nga e njëjta. Mendoj se zgjidhja e vetme është krijimi i një qeverie ekspertësh e cila do të kthen në binaret e demokracisë vendin. Kjo qeveri gjithashtu do të pastronte terrenin për zgjedhje legjitime dhe të drejta demokratike. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, nuk besoj që do të ndryshojë imazhi i Maqedonisë në sytë e ndërkombëtarëve”, shtoi Ramadani.

Ramadani theksoi se për një zgjidhje më të shpejtë e cila është e domosdoshme, duhet të kyçet më tepër faktori ndërkombëtar, sidomos SHBA-ja.

Kyçja e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni është e domosdoshme, por kjo vështirë se do të ndodhë pa shterrjen e të gjithë mekanizmave të brendshëm politik e institucional për dalje nga gjendja e krijuar pas aferës së përgjimeve, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar kërkesat për ndërmjetësim nga jashtë.

Nga ana tjetër komisari Johanes Han nuk mori pjesë në takimin e fundit të liderëve por tha se ngel në kontakt me bashkëbiseduesit dhe i lë të hapura kanalet e komunikimit.

Gjithashtu edhe BE dhe SHBA kërkuan nga liderët e partive politike që ta realizojnë marrëveshjen e 2 qershorit si dhe implementimin e plotë të rekomandimeve nga raporti i ekspertëve të KE-së.

Ndërkaq njohësit e çështjeve politike thonë se kjo situatë duhet të zgjidhet sa më shpejtë, pasi që mund të ketë shfaqje të dhunës si rezultat i krizës politike në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat