Liderët nuk takohen, marrëveshja javën e ardhshme?!

Maqedonia

Liderët nuk takohen, marrëveshja javën e ardhshme?!

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 20:38

Përkundër paralajmërimeve të djeshme, takim liderësh sot nuk pati. Sipas informacioneve, mbrëmë vonë liderët e VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev kanë zhvilluar një tjetër takim, por nuk kanë arritur t’i përafrojnë qëndrimet. Problematike vazhdon të mbetet koha e tërheqjes së kryeministrit Gruevski, por edhe çështja e ministrit të brendshëm dhe Prokurorit Publik. BDI-ja nga ana tjetër, pas takimit të kryetarit të saj Ali Ahmeti me kongresistin amerikan Eliot Engel, bëri të ditur se në takimet mes Gruevskit dhe Zaev ka ngecje vetëm për ndarjen e pushtetit dhe posteve qeveritare.
“Kjo situatë që ka mbetur akoma pa zgjidhje në lidhje me ndarjen e pushtetit midis dy partive politike maqedonase, duhet të tejkalohet nga dy liderët maqedonas sa më shpejtë, në interes të vendit dhe të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga BDI-ja thonë se gjatë kësaj ndarjeje të pushtetit, nuk do të preken ministritë dhe postet e tjera të funksionarëve të saj. Ata thonë gjithashtu se në agjendën e grupit të punës të përbërë nga 4 partitë, i cili do të përpilojë në mënyrë më të detajuar marrëveshjen, në listën e negociatave janë inkorporuar edhe çështje të karakterit etnik. Ndarja e 3 posteve më të rëndësishme shtetërore me rotacion, ndarja proporcionale e buxhetit, zhvillimi i barabartë rajonal, çështja e gjuhës, përfaqësimit dhe konsensualitetit janë vetëm disa nga pikat që do të bisedohen nga grupi i 4 shoqëruesve të liderëve, në negociatat e mëtejshme. Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi nga ana tjetër zbuloi për herë të parë se pjesë e bisedimeve mes liderëve politikë është edhe çështja e emrit, por nuk dha detaje rreth saj.
“Në takimin që pata me ministrin e jashtëm të Greqisë, nuk pata përshtypje se ai kishte pozicione shumë radikale, madje ramë dakord që ne të provojmë që këtë çështje, në kuadër të bisedimeve për krizën politike, ta përmbyllim deri në fund të vitit”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Menujëherë pas kësaj deklarate, Thaçi u përgënjeshtrua nga VMRO DPMNE-ja, e cila thotë se çështja e emrit nuk është në tryezën e bisedimeve. Ndërkaq, Thaçi, për sa iu përket kërkesave etnike në këto bisedime, tha se në koordinimin e sotëm me kreun e Kuvendit, PDSH-ja ngriti çështjen e miratimit të buxhetit me votim të dyfishtë, me shumicën e votave të deputetëve shqiptarë. I pyetur nëse palët janë afër zgjidhjes së krizës, Thaçi tha se pret që kompromisi të arrihet javën e ardhshme. Ndërkohë sipas burimeve tona, sot DPMNE-ja dhe LSDM-ja vazhduan kontaktet dhe takimet në nivele të ndryshme. Varësisht rezultatit të këtyre takimeve, një takim i ri liderësh mund të caktohet gjatë fundjavës ose në fillim të javës së ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat