‘Integrimi’, Poposki kritikon Athinën Zyrtare

Maqedonia

‘Integrimi’, Poposki kritikon Athinën Zyrtare

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 19:49

Për Ministrin e Jashtëm Nikolla Poposki, Greqia është fajtore për mungesën e progresit të Maqedonisë drejtë rrugës evropiane. Pavarësisht se Brukseli ka ndezur alarmin e kuq se vendin rrezikon humbjen e rekomandimit nëse nuk zgjidh krizën politike dhe zbaton masat urgjente, Poposki theksoi se këta faktorë po i fshehin arsyet e vërteta që bllokojnë Maqedoninë, duke aluduar te fqinji jugor.
“Është e qartë se për shkak të mungesës së progresit në dialogun politik ne paguajmë faturë shumë të shtrenjtë edhe politike por edhe para syve të BE-së, pasi në këtë mënyrë fshihet arsyeja e vërtetë që na pengon prej 6 vjetësh për çeljen e negociatave dhe marrjen e datës për bisedimet në vjeshtë”, deklaroi Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

Sipas Poposkit edhe në kushtet kur pozita greke është e rënduar për shkak të krizës financiare, Maqedonia nuk mund të përfitojë nga kjo gjendje. Vendimi për çeljen e negociatave për Maqedoninë nuk mund të miratohet pa dritë jeshile nga Greqia. Nga ana tjetër, edhe pse Ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias, paralajmëroi se Shkupi dhe Athina do të fillojnë menjëherë zbatimin e 11 masave të mirëbesimit, Poposki theksoi se nuk duhet të pritet ndryshim i shpejtë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Ne ram dakord për 11 masa për ndërtimin e mirëbesimit. Ai plan qëndron dhe do të punojmë për zbatimin e tij. Nuk mund të shohim në një afat të shkurtër për një, dy apo tre ditë ndonjë ndryshim të dukshëm sidomos në kushte kur opinion grek është i fokusuar në referendumin e së dielës; kjo nuk do të thotë se pala maqedonase po tërhiqet, interesi ynë është të kemi sa më shumë masa, tani kemi 11 dhe duhet ti zbatojmë”, tha Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.
Ndërkaq, nga Ministria e Jashtme konfirmuan se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat për akreditimin e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup përfshi njoftimi zyrtar i palës shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat