A duhet shqiptarët të shpallin mosnjohjen e gjykatave në Maqedoni

Maqedonia

A duhet shqiptarët të shpallin mosnjohjen e gjykatave në Maqedoni

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 09:59

Kjo thirrje vjen nga ekspertë për çështje juridike dhe përfaqësues të shoqatave për të drejtat e njeriut në Maqedoni.

Këto zëra duhet të jenë më aktiv pasi që sot lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev deklaroi se nuk njeh gjyqësorin në Maqedoni që sipas tij është i kontrolluar nga Nikola Gruevski.

Janë me dhjetëra procese gjyqësore që janë kontestuar nga shqiptarët dhe janë vlerësuar si të montuara nga pushtetet në Maqedoni. Një nga proceset më flagrante të montuara konsiderohet “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë të maqedonasve në Smilkovc të Shkupit, ku për këtë u dënuan shtatë shqiptarë, në një proces që u vlerësua i montuar.

Mersim Maksuti, profesori i së drejtës kushtetuese thekson për INA se është i vërtetë fakti se në Maqedoni ende nuk funksionojnë gjykatat e pavarura dhe se pavarësia e tyre është e cënuar nga ekzekutivi i vendit. “Kjo nuk është diçka risi, sepse influenca politike ende paraqet shkallën më të lartë të ndërhyrjes në gjyqësor. Deklarata e Zaevit konsiston në përputhje me realitetin e ushtrimit të funksionimit të gjykatave në vend”, deklaroi eksperti për çështje juridike, Mersim Maksuti.

Lidhur me qëndrimin që duhet të kenë shqiptarët, ai thekson se është normale të pasqyrohet dhe të alarmohet kjo situatë.

“Shqiptarët sidomos pas publikimit të përgjimeve që nxorrën detaje për rastin e Sopotit, tashmë e kanë humbur në masë të madhe besimin në objektivitetin e vendimeve të gjykatave në Maqedoni”, deklaroi profesor Mersim Maksuti.

Eksperti për çështje juridike Fatos Rushiti thekson se deri tani nuk ka pasur ndonjë kauzë e dukshme shqiptare kundër rasteve të montuara, edhe pse sipas tij, objektivisht partitë politike shqiptare duhet ta ngrisin zërin për gjyqësorin e korruptuar dhe politizuar.

“Fatkeqësisht duke pasur ministër të drejtësisë shqiptar neve na vdiqen ish luftëtarë në burgje. Lideri më me peshë në politikë Ali Ahmeti që shqipatert i’a dhanë votën qe 15 vite nuk është dashur të tolerojë ti burgosen shokët e luftës dhe të burgosen pa faj. Mua me duket se ai ka rreth vetes njerëz që iu kane imponuar pa dashjen e tij për poste qeveritare sidmos ne resorin e drejtësisë, ndërsa kur është dashur ta ndajnë kulaçin me VMRO-në, Ali Ahmeti ka gabuar rëndë kur vete nuk ka folur drejtpërdrejtë me Gruevskin por ka deleguar njerëz tjerë duke pranuar të bisedojnë për ndarjen pushtetin me njeriun që njhëkohesisht udhëhiqte me shërbimin sekret të shtetit”, theksoi profesori Fatos Rushiti.

Sipas tij, përgjegjësi jo të pakët ka edhe partia tjetër shqiptare që thirret si opozitë PDSH.

“Është koha tani që këta dy liderë ta tregojnë veten se interesin shqiptarë e kanë parësor e jo atë personal dhe politik. Po në këtë vijë me ineters është edhe heshtja e partive tjera opozitare BESA, Levizja SELA, dhe RDK, të cilët është dashur të vazhdojnë me protesta por po heshtin. Për burgosjen e shqiptarëve të pafajshëm nuk duhet të flitet vetëm dy javë parazgjedhjeve sepse populli nuk i han aq lehtë gënjeshtrat më. Nganjëherë çuditem me njerëz të ilegalitetit në BDI në PDSH qe me vite ishi të persekutuar dhe burgosur në ish Jugosllavi edhe këta po heshtin për gjykatat dhe prokurorinë e korruptuar që mbajnë pa faj shqiparët në burgje”, deklaroi njohësi i çështjeve juridike, Fatos Rushiti.

Idriz Sinani nga Forumi për të drejtat e njeriut IGFM thekson për INA se është momenti i duhur që partitë shqiptare, akademikët dhe gjithë shoqatat joqeveritare të dalin dhe të shpallin mosnjohjen e gjykatave në Maqedoni, pas shumë proceseve gjyqësore të konsideruara të montuara.

“Unë apelojë për një mobilizim masiv për të nxjerrë të vërtetën për gjykatat dhe të mos njihen vendimet e tyre politike. Deri tani janë shumë raste që janë dënuar shqiptarë të pafajshëm në procese të montuara. Duhet që të gjitha këto raste të shqyrtohen dhe të rikthehen në rigjykim në të ardhmen e afërt në procese të pavarura dhe transparente në Maqedoni”, theksoi Idriz Sinani. (INA)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat