Deputetët e BDI-së shpresojnë të pajisen me certifikata të sigurisë

Maqedonia

Deputetët e BDI-së shpresojnë të pajisen me certifikata të sigurisë

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 17:41

BDI-ja shpreson se do të sigurojë së shpejti certifikatën e sigurisë për deputetin e saj, pavarësisht se një gjë të tillë nuk mundi ta bënte për vite me radhë. Deputeti Zulfi Adili, i njohur në vitin 2001 si komandant Qufa, nuk mori pjesë dje në delegacionin e Komisionit Parlamentar që vizitoi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, për shkak se nuk ka qenë i pajisur me certifikatë nga Drejtoria për Sigurinë e Informatave të Klasifikuara. Këtë certifikatë, BDI-ja nuk kishte arritur t’ia siguronte Adilit as në kohën kur ai kishte qenë drejtor i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, ndërsa sot të pyetur përse nuk e zgjidhin këtë problem dhe përse nuk zëvendësojnë anëtarët e këtij komisioni me ndonjë anëtar që posedon certifikatë, BDI-ja u përgjigj:

“Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Sekrete në këtë mandat nuk ka funksionuar, në mungesë të opozitës e cila udhëheq këtë komision. Andaj edhe nuk është i azhurnuar procesi i verifikimit të anëtarëve të rinj në këtë përbërje. Kjo do të kryhet së shpejti para mbajtjes së mbledhjes së ardhshme të Komisionit”.

Një ditë më parë nënkryetari i Kuvendit nga radhët e BDI-së, Rafis Aliti njoftoi se problemi është akoma më i madh sesa e paraqesin zyrtarisht nga kjo parti. Ndërsa BDI-ja shpreson se do ta sigurojë këtë certifikatë para mbajtjes së mbledhjes së ardhshme të komisionit, Aliti dje tha se jo vetëm deputeti aktual, por edhe shumë deputetë të tjerë të BDI-së që në të kaluarën kanë qenë anëtarë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Shërbimeve Sekrete nuk kanë arritur të pajisen me certifikatën e sigurisë.

“Është një fenomen që ndodh vazhdimisht këtu në Kuvend. Them është fenomen pasi shumë deputetë të BDI-së deri tani që kanë qenë anëtarë të këtij Komisioni, nuk kanë arritur të marrin certifikatën, dhe për atë nuk kanë mund të marrin pjesë në mbledhjen të këtij Komisioni. Kështu që ne vlerësojmë se është një qasje diskriminuese ndaj deputetëve të BDI-së”, tha Rafis Aliti, nënkryetar i Kuvendit.
Edhe nga Drejtoria për Sigurinë e Informatave të Klasifikuara nuk dhanë asnjë shpjegim. Televizioni Alsat kontaktoi me këtë drejtori dhe në formë të shkruar drejtoi tre pyetje:
Përse deputetëve të BDI-së nuk iu jepet certifikata e sigurisë?
A lidhet përgjigja negative me faktin që këta deputetë kanë qenë të përfshirë në konfliktin e vitit 2001, konkretisht kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së?
Përse konkretisht Zulfi Adilit nuk iu jepet certifikata e sigurisë? Cila është arsyeja konkrete për përgjigjen negative?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat