Rexhepi: Namazi nuk mund të falet në maqedonisht, deklarata e Bozhinovskës nacionaliste

Maqedonia

Rexhepi: Namazi nuk mund të falet në maqedonisht, deklarata e Bozhinovskës nacionaliste

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 16:42

Namazi asnjëherë nuk mund të kryhet në gjuhën maqedonase, kurse deklaratat e Valentina Bozhinovskës janë të përshpejtuara dhe nacionaliste. Kështu iu kundërpërgjigj kreu i BFI-së, kërkesës së drejtoreshës së Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare që ritet fetare të maqedonasve myslimanë të kryhen në gjuhën maqedonase. Kryetari i BFI-së Suljeman Rexhepi thotë se normat mbi të cilat predikohet islami janë universale dhe si të tilla respektohen nga të gjithë myslimanët njësoj, pavarësisht se cilit komb i përkasin.

“Nëse është vërtetë ashtu siç është deklaruar, është gabim, për arsye se lutje, namazi në të gjithë botën bëhet në gjuhën arabe dhe në asnjë gjuhë tjetër. Sa i përket lutjeve të thjeshta për shembull lutje me rastin e leximit të Mevludit, pas ngrënies së bukës, dhe lutje të tjera të thjeshta nuk ka pengesë që të bëhen në të gjitha gjuhët e popujve. Por për namazin nuk ka teori. Jo sepse ky është qëndrim i BFI-së por është qëndrim i sistemit juridik islam, madje me kompaktësi askush nuk mendon ndryshe. Është një çështje e prerë. Me siguri, zonja Bozhinovska ka qenë e pakontrolluar kur e ka dhënë atë deklaratë, sepse ajo është pasojë e një nacionalizmi, me të cilin ajo është e ngarkuar por këto punë nuk shkojnë kështu, nuk pinë ujë tek parimet islame”, u shpreh Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.

Rexhepi madje kërkoi nga Bozhinovska përmirësimin e deklaratës dhe falje publike.
“Sa i përket namazit, këtë punë duhet njëherë e përgjithmonë ta largojnë prej mendjes dhe nëse është korrekte zonja Bozhinovska duhet ta përmirësojë deklaratën e saj dhe të kërkojë falje”, u shpreh Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.

Rexhepi tha se Bozhinovska, edhe në të kaluarën ka bërë deklarata skandaloze që kanë nxitur reagime të ashpra tek myslimanët në Maqedoni, për të treguar një lloj patriotizmi tek publiku. Kjo është deklarata e drejtoreshës së Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare e dhënë dje gjatë një konference me temë “Maqedonasit Myslimanë, në kontekst historik dhe bashkëkohor”.
“Të mos harrojmë se gjithnjë e më shumë është rritur nevoja e maqedonasve me besim islam, që ritet fetare në pikat e tyre të kultit, t’i realizojnë në gjuhën maqedonase sikurse në pjesën e Rekës. Ashtu të praktikohet në gjithë Maqedoninë”, theksoi Valentina Bozhinovska, drejtoreshë e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat