Lëvizja BESA bëri publike Planin e saj financiar

Maqedonia

Lëvizja BESA bëri publike Planin e saj financiar

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 13:37

Lëvizja Besa për opinionin e gjerë bëri publik planin e saj financiar si dhe nisi procesin e anëtarësimit në parti.
Të nderuar gazetarë, të nderuar qytetarë
Në frymë të autonomisë dhe autenticitetit të përcaktuar tashmë, jemi sot këtu për ta shpallë zyrtarisht procesin e anëtarësimit në Lëvizjen BESA, si dhe për ta bërë publik Planin financiar, që edhe kështu ta dëshmojmë këtë identitet të BESËS, por edhe me qëllim të funksionimit transparent dhe të pavarur politik të Lëvizjes.
Kështu prej datës 1 korrik 2015 nëpër të gjitha këshillat komunale do të fillojë procesi i anëtarësimit në Lëvizje. Për këtë qëllim gjithkund do të jenë të shpërndara deklaratat e anëtarësisë, me plotësimin e të cilave fillojë të rrjedhin detyrimet dhe të drejtat e secilit anëtar në Lëvizje. Bashkë me anëtarësimin formal vijon edhe mbështetja financiare e BESËS.
Për këtë arsye, në përputhje me Ligjin për financimin e partive politike në Maqedoni, Lëvizja BESA të hyrat e veta do t’i sigurojë kryesisht nga dy burime të financimit: burimet publike të financimit dhe burimet private të financimit. Siç dihet, për t’i shfrytëzuar burimet publike të financimit është e nevojshme pjesëmarrja në zgjedhje. Prandaj deri atëherë Lëvizja BESA do t’i shfrytëzoje burimet private të financimit, siç janë: anëtarësia, donacionet, shitja e materialeve promovuese dhe propaganduese, si dhe të hyrat e tjera, të cilat janë në përputhje me Ligjin për financimin e partive politike.
Në bazë të Ligjit për financimin e partive politike, Lëvizja BESA mund të pranojnë donacione në para, mjete materiale dhe shërbime. Andaj ne sot me këtë konferencë u bëjmë thirrje të gjithë dashamirëve, afaristëve dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët e besojnë, vlerësojnë dhe e mbështesin veprimtarinë politike të Lëvizjes BESA në angazhimin e saj për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, që atë ta mbështesin edhe financiarisht.
Ata që janë të interesuar ta ndihmojnë Lëvizjen BESA mund të na kontaktojnë në postën elektronike [email protected] ose në numrin e telefonit 02/5110-838 dhe të interesuarve do t’u jepen udhëzimet se në çfarë forme mund ta japin donacionin e tyre.
Rregullorja e lartpërmendur dhe Plani financiar i Lëvizjes do të jenë publike dhe secili mund ta gjejë veten se në çfarë mënyre do ta ndihmojë BESËN.
Njoftojmë opinionin se financimi i Lëvizjes BESA do të jetë publik dhe transparent. Secili qytetar dhe secili anëtar i Lëvizjes BESA ka të drejtë të ketë qasje të barabartë në inspektimin e financimit të Lëvizjes BESA. Llogaria vjetore për veprimtarinë financiare të Lëvizjes BESA – konform regullativës ligjore – do të dorëzohet te Drejtoria e të Hyrave Publike, Regjistri Qendror dhe Enti Shtetëror për Revizion, ndërsa do të publikohet edhe në ueb-faqen e Lëvizjes BESA.
Për dallim nga të tjerët, të cilët në mënyra të ndryshme i grabitën paratë e popullit për nevojat partiake dhe të klaneve të tyre, Lëvizja BESA në mënyrën transparente dhe publike kërkon përkrahje nga afaristët dhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë dhe premton se donimi dhe shpenzimi i secilit denarë në Lëvizje do të jetë transparent dhe publik, diçka që nuk ka ndodhur në këto 25 vitet demokraci me asnjë parti politike në Maqedoni.
Me këtë rast, dëshirojmë t’i falënderojmë të gjithë afaristët, miqtë, shokët e bashkëveprimtarët e deritanishëm, të cilët deri tash në mënyrë vullnetare e kanë ndihmuar punën e Lëvizjes. Për shkak të presioneve që mund t’ua bëjë ky pushtet diktatorial, shumica e tyre kanë vendosur të mbeten anonimë dhe ne e kemi respektuar vullnetin e tyre, por për transparencë para ligjit jemi në gjendje ta arsyetojmë çdo denarë që ka hyrë dhe ka dalë nga BESA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat