Deputetët shqiptarë s’e njohin anglishten, në siklet të madh kur udhëtojnë nëpër Evropë!

Maqedonia

Deputetët shqiptarë s’e njohin anglishten, në siklet të madh kur udhëtojnë nëpër Evropë!

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 11:09

Në Maqedoni elitat politike shumë pak i njohin gjuhët e huaja. Pothuaj se mbi 70 për qind e deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë nuk e njohin gjuhën angleze. Për këta deputetë të cilët janë zëri i popullit as që mund të flitet për ta njohur gjuhën e diplomacisë botërore.

Burime për “Zhurnal” flasin se shumë deputetë shqiptarë gjenden në siklet të madh gjatë udhëtimeve zyrtare dhe pjesëmarrjes në seminare, konferenca dhe vizita të delegacioneve parlamentare në shtetet e BE-së.

Po i njëjti burim bën me dije se një deputet shqiptar në mungesë të mosnjohjes së anglishtes kishte tentuar që të flas me një zyrtar evropian përmes mimikave.

Sikleti i deputetit shqiptar është shtuar tej mase kur në një moment kanë ardhur edhe dy përfaqësues të delegacionit nga Bundestagu gjerman, të cilët kanë menduar mos vallë deputeti shqiptar e njeh gjermanishten.

Mirëpo, deputeti shqiptar edhe me përfaqësuesit gjermanë nuk ka kaluar mirë pasi nuk ka ditur as edhe një fjalë në gjuhën gjermane dhe kjo e ka sjellë atë në një situatë mjaft të palakmueshme, meqë ai nuk ka mundur të komunikojë me kolegët e tij evropian as në anglisht as në gjermanisht.

Pjesa dërmuese e deputetëve shqiptarë kur përgatitin biografinë e tyre profesionale në shikim të parë të len përshtypje se bëhet fjalë për ndonjë këshilltar politik me përmasa botërore të ndonjë këshilltari të Kancelares gjermane Angela Merkel apo kryeministrit britanik Daviv Cameron.

Mirëpo, në fakt shumë pak është e vërtetë dhe reale CV-ja e tyre pasi gjatë punës dhe angazhimit në Parlament po dëshmohet e kundërta sepse janë tepër të hendikepuar për shkak të mosnjohjes së gjuhës angleze.

“Zhurnal” raporton se pikërisht këta deputetë asnjëherë s’mund të marrin fjalim në ndonjë konferencë ndërkombëtare për shkak të barrierave gjuhësore me çka edhe asnjëherë nuk mund ta artikulojnë interesin e qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia të cilët edhe i kanë zgjedhur ata.

Është koha që më në fund në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shihet qartë profili i çdo deputeti e jo si deri më tani ku pjesa dërmuese e tyre janë vetëm makineri votuese dhe assesi të hynë në debate të ashpra. Këta deputetë po ashtu nuk mund të realizojnë madje as takime me ndërkombëtarët.

Partitë politike shqiptare duhet të zgjedhin kuadro profesionale të cilët do ti plotësojnë të gjitha kriteret e një deputeti e jo vetëm të marrin një rrogë dhe vetëm të shtypin butonin në Parlament.

Ndryshe, rreth 70 për qind e deputetëve shqiptarë në Maqedoni asnjëherë nuk debatojnë për ligjet në sferën e ekonomisë, financave, shëndetësisë, telekomunikimeve dhe sferat tjera. Këtu dëshmohet se ata nuk kanë njohur elementare në këto fusha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat