Kriza politike, Peterle konfirmon angazhimin e BE-së

Maqedonia

Kriza politike, Peterle konfirmon angazhimin e BE-së

Më: 29 maj 2015 Në ora: 20:30

BE-ja kërkon zgjidhjen urgjente të krizës politike në vend. Edhe pse kryetari i Komitetit të përbashkët parlamentar BE-Maqedoni, Alojz Peterle, në takimin e sotëm me përfaqësuesit e partive politike nuk ka ofruar recetë të gatshme për kapërcimin e krizës, ai konfirmoi angazhimin e BE-së për të ndihmuar tejkalimin e krizës. Megjithatë as Peterle, as kryeministri Gruevski dhe as përfaqësuesit e partive politike pas takimeve kokë më kokë nuk pranuan të prononcoheshin për mediat lidhur me përmbajtjen e diskutimeve. Kryeministri Gruevski në takimin e Peterle ka theksuar rëndësinë e mbështetjes aktive dhe iniciativave të BE-së për zgjidhjen e krizës politike, por pa ofruar detaje të tjera. E vetmja që pranoi të fliste para kamerave ishte zv/kryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska. Sipas saj zgjidhja e krizës do vijë vetëm pas largimit të Gruevskit dhe me formimin e qeverisë kalimtare.

“Ata që ju ndihmojnë mund vetëm të ju ndihmojnë por jo edhe ta kryejnë punën tonë. Mesazhi kryesor nga bisedimet e deritanishme është se pa vullnetin politik të pushtetit për të marr përgjegjësi, dhe të pranojë se Qeveria e Gruevskit nuk është e qëndrueshme më, nuk mund të ketë zgjidhje. Mund të vijnë çfarëdo negociatorësh, mund të vijnë lehtësues me pozicione të larta, rezultati do të jetë i njëjtë, për aq kohë sa në Maqedoni qeveria e Gruevskit dhe Gruevski personalisht nuk ndërgjegjësohet, se pas këtyre skandaleve, zbulimeve dhe informata që mund ti dëgjojmë me veshët tonë, nuk ka mandat për të udhëhequr shtetin”, u shpreh Radmilla Sheqerinska, zv/kryetare e LSDM-së.

Deputeti europian Alojz Peterle takoi edhe liderët e partive shqiptare Ahmeti dhe Thaçi. Në këtë kuadër kreu i BDI-së Ahmeti ka theksuar se mungesa e perspektivës euroatlantike si pasojë e çështjeve të pazgjidhura me fqinjët rezulton me thellimin e krizës politike dhe pasigurinë dhe mosbesimin midis dy etnive më të madha në vend. Ahmeti gjithashtu ka shprehur qëndrimin se çdo krizë është një dritare e re mundësie dhe nëse nuk mungon përkushtimi i Brukselit dhe Uashingtonit, atëherë nga kjo krizë siç thekson ai, do të dalim edhe më të fortë dhe me drejtim shumë të qartë Euroatlantik. Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi nga ana tjetër ka theksuar se rrugë e vetme për të dalë nga kjo situatë është arritja e një marrëveshje të qëndrueshme mes 4 partive politike me ndërmjetësim ndërkombëtarë, që do të përshpejtonte zgjidhjen e problemeve të brendshme, si dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat