Pse po heshtet ende për traumat e banorëve të Lagjes së Trimave

Maqedonia

Pse po heshtet ende për traumat e banorëve të Lagjes së Trimave

Më: 28 maj 2015 Në ora: 18:08

Banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë theksojnë se kush dhe si do i kompensojë traumat që përjetuan fëmijë e gra të kësaj lagje në ditët e 9 dhe 10 majit.

Përfaqësues të Bashkësisë Lokale sërish kanë apeluar për përkrahje dhe ndihmë lidhur me trajtimin e shumë banorëve, kryesisht atyre që kanë qenë të përfshirë në zonën ku po zhvilloheshin përleshjet dhe që nuk ishin tërhequr, por edhe banorët e rrugëve të afërta.

Ata kanë apeluar që të ndërhyjnë institucione përgjegjëse të shtetit dhe të trajtojnë edhe këtë çështje. Po ashtu apelohet që të formohet një komision i posaçëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Ministrisë së Punëve Sociale që do të merren me këtë problem shqetësues për banorët, tek të cilët mund të mbeten pasoja të pashërueshme psiqike dhe psikologjike.

Rexhep Etemi, një mjek nga Kumanova në mënyrë vullnetare ka qëndruar tek Lagja e Trimave duke i dhënë ndihmë familjarëve.

Ai ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar shërbime dhe ndihmë mjekësore në mënyrë vullnetare dhe humane.

“Unë kam vizituar dhjetëra raste dhe se kam hasur në raste të rënda traumatike, dehidrime, stress, atak paniku. Pra bëhet fjalë për sindromin strespostraumatik. Për këtë duhet trajtim adekuat psikiatrik. Sidomos tek fëmijët, pleqtë dhe femrat që janë më të ndjeshme”, thotë mjeku Rexhepi, i cili gjithashtu alarmon për përkrahje dhe reagim.

Edhe specialisti i mjekësisë nga Kumanova, Rexhail Ramadani thekson për INA se ato që përjetuan tmerrin në aspektin mjekësor kanë problem me ankthin dhe shqetësime psiqike.

“Ky ankth është një perceptim i situatave jetë kërcënuese. Ky çrregullim i ankthit ka të bëjë me çrregullimin e panikut dhe të stresit pas traumës. Personi i dëmtuar ripërjeton traumën me frigë natën me kujtime të dhimbshme. Ndërsa tek femijët mund të shfaqen sjellje devijante si sjellje të çorganizuar dhe të agjituar. Nga këto situata ka njerëz që mund të mos kenë më probleme por disa mund te invalidizohen. Keto duhet trajtohen sa më parë që kjo gjendje psikike të mos kronicizohet. Situatat e konflikteve dhe luftërave gjithashtu shkaktojnë edhe një frikë kolektive tek të gjithë popullata, një lloj pasigurie kolektive”, deklaroi specialisti i mjekësisë, Rexhail Ramadani.

Ai gjithashtu bën thirrje që të ndërhyjnë institucionet shëndetësore dhe sociale, por për këtë çështje të alarmohen edhe organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat