Takimet e liderëve, teatër apo përkushtim real?

Maqedonia

Takimet e liderëve, teatër apo përkushtim real?

Më: 27 maj 2015 Në ora: 08:16

Takimi i tretë ndërmjet udhëheqësve politik në Maqedoni ka përfunduar pa ndonjë rezultat, por me marrëveshje që takimi i radhës të mbahet javën e ardhshme. Ndërkaq kaloi një javë nga vendosja e tendave të opozitës dhe qytetarët të cilët thonë se do të protestojnë deri sa kjo qeveri të dorëhiqet.

Njohësit e çështjeve politike thonë se kjo situatë duhet të zgjidhet sa më shpejtë, pasi që mund të ketë shfaqje të dhunës si rezultat i krizës politike në vend.

Profesoresha universitare Mirjana Maleska thekson se gjitha masat demokratike për rinimin e një qeverie janë ndërmarrë dhe nuk mund të bëhet më asgjë më shumë, veç se të pritet dorëheqja e qeverisë.

“Si duket nuk mund të bëhet asgjë më shumë nga ajo që është bërë që qeveria të dorëhiqet. Duhet t’i ruajmë nervat dhe të shpresojmë që procesi negociues nuk do të stërgjatët, që të mos suprizohemi me ndonjë dhunë të re ndaj qytetarëve”, tha për Portalb, Maleska.

Ajo shtoi se shpreson që BDI do të ‘zgjohet’ dhe do të tërhiqet nga koalicioni qeveritar.

“Në fund të secilit proces negociues vjen kompromisi. Çka do të ishte këtu kompromis?si duket duhet të përballemi me faktin që një person jo etik si Gruevski të qëndrojë në qeveri, me atë që do të marrin pjesë LSDM,BDI dhe PDSH që të zgjidhin disa probleme si ndërrimin e prokurorit publik dhe drejtorit të RTVM-së dhe disa të tjerë si dhe të përgatisin zgjedhje të reja. Kuptohet, gjithnjë është e mundshme një kthim i situatës, ku me zbardhjen e fakteve të reja si për shembull ‘bombat’ e reja të opozitës, mund të ‘zgjojnë’ disa antëarë të BDI-së të cilët kërkuan tërheqjen e partisë nga koalicioni qeveritar. Por si duket politikanët kanë logjikën e tyre, e cila nuk do të thotë se përshtatet me mendimin racional të të tjerëve”, shtoi Maleska.

Profesori Mersel Bilalli, thotë për Portalb se ka ardhur fundi i Gruevskit dhe se takimet të liderëve janë më shumë – një për dikë teatër, për dikë blerje kohe, kurse për ndokënd demonstrim të konstruktivitetit.

“Pa dilemë se janë këto ditë të fundit të regjimit të Gruevskit, i cili do të mbetet i shënuar në histori për lidhjet me krimin e organizuar, të cilin me mjeshtri e mbulonte përmes një patriotizmi të rrejshëm dhe nacionalizmi në kontinuitet. Mbetet enigmë se përse këtë cunam destrukcioni e pat toleruar aq shumë vite subjekti politik shqiptar!!! Mendoj se këta takime të liderëve janë më shumë – një për dikë teatër, për dikë blerje kohe, kurse për ndokënd demonstrim të konstruktivitetit”, tha Bilalli.

Ai shtoi se fakt është se një gjendje e tillë siç është nuk mund të jetë afatgjate.

“Nuk pres gjë nga ky nivel. Së shpejti pres të ndodhin dy mundësi. E para BDI gjithnjë e më shumë i nënshtrohet presionit që ta lëshon qeverinë dhe ajo do ose jo, qoftë me zemër të thyer atë do të duhet ta bëjë atë, apo ditëve të ardhme do të ofrohet një pako, e cila me siguri se do të mbajë edhe e Uashingtonit, me çka rrjedhat do të duhet të marrin kahje drejtë zgjidhjes. Fakt është se një gjendje e tillë siç është nuk mund të jetë afatgjate”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat