Zaev dhe Gruevski nuk lëvizin nga pozicionet e tyre

Maqedonia

Zaev dhe Gruevski nuk lëvizin nga pozicionet e tyre

Më: 26 maj 2015 Në ora: 08:19

(E plotesuar) - Ka përfunduar para pak çastesh pjesa e parë e takimit të liderëve, si dhe pauza pas saj, që po mbahet sot në Klubin e deputetëve në Shkup.

Sipas brifingut për gazetarët, në pjesën e parë nga takimi përfaqësuesit partiak I kanë informuar euromabsadaorin Aivo Orav dhe ambasadorin amerikan Xhes Bejli për takimin në Strasburg.

Në takimin e tretë në tentimin e ri që të gjendet zgjidhje për dalje nga kriza politike në vend u ulën liderët e katër partive më të mëdha në Maqedoni, Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE-ja, Zoran Zaev nga LSDM-ja, Ali Ahmeti nga BDI-ja dhe Menduh ThaçI nga PDSH-ja.

Sipas informacioneve LSDM insiston në qeveri kalimtare por kjo ide është e papranueshme për Gruevskin.

Gruevski është i shoqëruar nga shefi i diplomacisë Nikolla Poposki, Zaev nga Radmilla Sheqerinska, Ahmeti nga Artan Grubi ndërsa ThaçI nga Luan Tresi.
Në pritje të takimit të liderëve, të parët mbërritën ambasadorët

Ambasadori i SHBA-ve XHes Bejli dhe euroambasadori Aivo Orav janë të parët që kanë mbërritur në takimin e liderëve që do të mbahet në Klubin e Deputetëve.

Minuta më vonë ka mbërritur edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Liderët e Maqedonisë mblidhen sërish sot

Katër liderët e partive më të mëdha në vend, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi do të mblidhen përsëri sot për herë të tretë për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh për gjetjen e një zgjidhje për krizën që ka përfshirë vendin.

Dy takimet e para mes liderëve përfunduan pa ndonjë marrëveshje, madje pa marrëveshje përfundoi edhe takimi në Strasburg ku të pranishëm ishin edhe tre deputetë të Parlamentit evropian.

Ndërkombëtarë dhe ambasadorë të huaj si ai i SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian, ka pasur edhe në takimet që janë zhvilluar në Shkup, por edhe këto takime kanë përfunduar pa marrëveshje.

Njëra prej kërkesave që ka lideri i opozitës Zoran Zaev është dorëheqja e Qeverisë dhe e vetë kryeministrit Nikolla Gruevski, kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe drejtorit të radiotelevizionit të Maqedonisë. Zaev po ashtu po kërkon formimin e një Qeverie kalimtare me mandat për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Por, Gruevski ka refuzuar deri tani dorëheqjen e tij dhe formimin e Qeverisë kalimtare, ndërsa njoftohet se është shprehur i gatshëm të bisedojë për të gjitha çështjet e tjera teknike dhe vërejtjet që opozita ka për proceset e kaluara zgjedhor./KP/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat