BFI: ‘Puçistët” kanë paralajmëruar protesta, BFI nuk tërhiqet nga vendimet e veta”

Maqedonia

BFI: ‘Puçistët” kanë paralajmëruar protesta, BFI nuk tërhiqet nga vendimet e veta”

Më: 25 maj 2015 Në ora: 18:51

Shërbimi për informim i BFI-së, në prag të protestës së nesërme të paralajmëruar nga kundërshtarët e kryetarit Suljeman Rexhepi, doli sot me një deklaratë, të cilën e fillonte me shprehjen “Zoti nuk i do zullumqarët”. Ndërkohë që është lëshuar edhe një video tjetër nga hyrja me forcë e dy javëve më parë, në ambientet e BFI-së, shërbimi për informim i këtij institucioni e quan grupin si “Puçistë” dhe “Anti-Islam”, të cilët janë të motivuar nga struktura, që paraprakisht kishin përgatitur edhe rastin në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

“Pavarësisht se “Puçistët” kanë paralajmëruar protesta, BFI nuk tërhiqet nga vendimet e veta”, - thuhet më tej në reagim. Po ashtu, sipas komunikatës dhe videos së publikuar sot, aludohet se në turmën që hyri në BFI ka edhe aktivistë partiakë. Duke i akuzuar si anti-shqiptarë këta persona, BFI-ja bën të qartë se në traditën 600 vjeçare ka përjetuar lloj-lloj forcash, perandorësh, kriminelësh, banditësh, sistemesh anti-islame por kurrë, askush nuk arriti qoftë për 1 sekondë, të asgjësojë islamin dhe jetën fetare islame nga këto troje. “Kriminelët gjithmonë ngelin pakicë ndërsa shumica i shkelë kurthet kriminele. Zoti është me organizatorët e avancimit të jetës islame dhe jo me organizatorët e shkatërrimit të kësaj jete” - përmbyllet komunikata e BFI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat