Kasami:BESA do të ofroj shumë që të zhvillohet biznesi shqiptar

Maqedonia

Kasami:BESA do të ofroj shumë që të zhvillohet biznesi shqiptar

Më: 25 maj 2015 Në ora: 09:29

Dje Lëvizja BESA ka qëndruar në Gostivar, ku e shpalosi platformën e saj Politike “RIDEFINIMI” për daljen nga kriza politike aktuae në Maqedoni. Me këtë rast para të pranishmëve, këtë platformë e sqaruan në hollësi disa nga themeluesiet e Lëvizjes BESA.
Fillimisht para të pranishmëve fjalën e mori Ermira Asani – Salija nga Kryesia e Lëvizjes BESA, e cila tha ndër të tjera, – “Gjërat po e shohim dita-ditës se shkojnë shumë keq nga ky pushtet, sidomos kjo e keqe vërehet ndaj shqiptarëve tanë të Maqedonisë. Nëse e shohim me vëmendje, kemi arritur deri aty sa ky kaos ky tmerr që po përjetojmë vazhdimisht, të vërtetohemi se vjen nga definimi i shtetit gabimisht, ku shqiptarët trajtohen si të dorës së dytë, dhe të drejtat elementare ndaj tyre konsiderohen si luks, e kjo ndodh shkaku i asaj që liderët partiak në pushtet janë nënshtruar dhe hipotekuar nga pushtetit. Andaj, ne kërkojmë “Rifefinimin” e shtetit. Lëvizja BESA mbase për një grusht njerëzish të hipotekuar nga pushteti është e tepërt, por për shumicën e shqiptarëve më shumë se e nevojshme.”
Më pas fjalën e mori Zeqirija Ibrahimi i cili tha, – “Ridefinimi kërkohet kur diçka është definuar gabimisht. Ne e kemi ditur se Maqedonia është definuar gabimisht dhe këto definicione të gabuara vazhdojnë edhe sot. Edhe në 44’-tën u definua gabimisht, edhe më 1991, edhe më 2001. Prandaj vazhdojnë ta ndjekin problemet. Sepse shoqëria nuk përkon me shtetin – Shteti është njëetnik, ndërsa shoqëria multietnike. Kjo i bie se me ekip të futbollit dëshiron të luash basketboll. Thjesht asimetrike. Për këtë arsye ne mendojmë se, që të mund të prosperojë, Maqedonia duhet të ridefinohet. Këtë tash e kanë kuptuar ndërkombëtarët, e kanë kuptuar edhe maqedonasit, megjithëse duan përsëri t’i ikin, e ka kuptuar edhe Shqipëria e Kosova, ndërsa të vetmit që nuk e kanë kuptuar janë BDI dhe PDSH. Ato vazhdojnë ta kenë vetëm një hall – a do të mbeten në pushtet. Ndërsa halli jonë është të merremi vesh “çka nënkupton pushteti?!”
Tutje Ibrahimi shtoi, – “Lëvizja BESA e do një Maqedoni e cila ridefinohet me marrëveshje të ndërsjellë mes kombit maqedonas dhe kombit shqiptar, me mirëbesim dhe në kushte të paqes. Ne nuk insistojmë në shtet binacional, mund të bisedojmë edhe për shtet të vërtetë qytetar, por ama për atë që merremi vesh, kjo do të nënkuptojë shtet të barazisë, drejtësisë, lirisë dhe demokracisë. Prandaj sot janë bashkuar të gjithë kundër nesh. Që mos të vijë në rend dite ridefinimi i Maqedonisë. E shihni, as Edi Rama nuk arriti t’i ndan nga VMRO-ja. Ndërsa ato dy parti nuk kanë asnjë qëndrim se çfarë Maqedonie duan. Ose, më saktë, qëndrimi i tyre është ky: “E duam një Maqedoni në të cilën ne jemi në pushtet.” E ky është dallimi mes nesh dhe atyre. Dy perceptimet e Maqedonisë: perceptimi maqedonas dhe perceptimi shqiptar. Këto dy perceptime nuk konvergjojnë mes vete. Shqiptarin e duan si qenie kulturore, por jo si qenie politike. Nuk është problem ta këndojnë “Rroka mandolinën”, ama nuk duan ta zbardhin të vërtetën e diskriminimit të shqiptarëve, nuk duan ta zbulojnë rastin MONSTRA, nuk duan të flasin për gjuhën shqipe, për arsimin shqip etj”.
Pas tij foli Afrim Gashi, i cili bëri elaborime më të thukëta për përmbajtjen e platformën dhe ofertën e Lëvizjes BESA. Ai edhe një herë e përsëriti ofertën e BESËS për zgjidhjen akute, me qeveri ekspertësh – që do ta marrë përsipër tejkalimin aktual të krizës, ta organizojë regjistrimin e popullsisë, të themelojë prokurori dhe gjykatë speciale, si dhe t’i organizojë zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa për ofertën afatgjatë ai tha se BESA propozon qeveri që do ta marrë përsipër rifedinimin e shtetit, ndërrimin e emrit dhe integrimin e vendit në NATO. Gashi po ashtu tha se në këtë Qeveri ekspertësh duhet të marrin pjesë edhe ambasadorët e shteteve më të fuqishme përendimore, duke shtuar se tashmë edhe vendet mike po e kuptojnë se “Ridefinimi” i shtetit thuajse është si domosdoshmëri e zgjedhjes së krizës së thellë politike në të cilën gjendemi aktualisht.
Në fund të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i BESËS, Bilall Kasami i cili fillimisht falënderoi për prezencën e tyre përfaqësuesit e RDK-së, z.Arben Ademi dhe z.Shpat Iseni. Ai sqaroi në përgjithësi, në cilësi të ekonomistit, bëri elaborime për ofertën ekonomike të Lëvizjes BESA. Kasami shpjegoi se objektivat kryesore ekonomike të Lëvizjes BESA janë: krijimi i sistemit në të cilin shumica e njerëzve do të kenë qasje te resurset maksimale; vendosja e individit në qendër të vëmendjes dhe interesit, në kuptimin e shanseve të barabarta në të gjitha aspektet; alokimi efikas dhe efiçinet i resurseve në të gjitha aspektet – që nga ato të burimeve njerëzore; maksimizimi i shportës së të mirave që një konsumator individual mund t’i konsumojë (standardi jetësor); minimizimi i pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave, pa e dhunuar sistemin dhe dekurajimin e ndërmarrësisë dhe kufizimi i marzhave maksimale në shportën e konsumit bazik, që kështu ta rritë aftësinë blerëse të konsumatorëve, posaçërisht të mallrave bazike. Ai bëri shpjegime të hollësishme dhe dha plot detaje në terma ekonomike se çfarë do të ofrojë BESA që të zhvillohet biznesi shqiptar, që të zhvillohen rajonet shqiptare, por edhe në përgjithësi shteti. Kasami tha se vizioni i BESËS është për një zhvillim të baraspeshuar, dhe për një zhvillim të theksuar për shqiptarët.
Vlen të theksohet se në tubimin që organizoi Lëvizja BESA në Gostivar, për të shpalosur Platformën e saj Politike “Ridefinimi” të pranishëm ishin edhe kryetari i Degës së Gostivarit nga RDK-ja Arben Ademi, si dhe Kryetari i Forumit Rinor nga RDK-ja, Shpat Iseni. Madje Ademi i RDK-së në fjalën e tij para të pranishmëve tha se prezenca e tyre duhet të merret si një shenjë e bashkërendimit të forcave opozitare për të dalë nga tmerri që po përjetojnë shqiptarët vazhdimisht.
Kurse me këtë rast Afrim Gashi i Lëvizjes BESA theksoi se, -“Sot BDI dhe PDSH thanë se e ndjejnë të nevojshme bashkëpunimin, kurse prezenca e përfaqësuesve të RDK-së në këtë tubim sonte po tregon se më në fund po bëhet ndarja e fytyrës së vërtetë të shqiptarëve: e atyre që janë pjesë e një regjimi, dhe e të sinqertëve”.
Tubimi Lëvizjes BESA përfundoi me disa pyetje dhe diskutime nga të pranishmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat