Veljanovski: Ngjarjet në Kumanovë, akt terrorist

Maqedonia

Veljanovski: Ngjarjet në Kumanovë, akt terrorist

Më: 24 maj 2015 Në ora: 19:08

Kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski ka folur nga Tirana, për ngjarjet në Kumanovë, duke e klasifikuar atë si një përpjekje dhe akt terrorist. Gjatë samitit të Persopektivës për Bashkëpunim në Evropëmn Juglindore, Veljanovski tha se rajoni po përballet me mungesën e paqes dhe stabilitetit, dhe se sa i përket Maqedonisë, policia e përballoi me profesionalizëm grupin kriminal terrorist, që u bë rrezik për gjithë rajonin. Për Veljanovskin, mbrojtja e sigurt për Ballkanin nga destabiliteti dhe grupet terroriste, është vetëm anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Sipas krye-parlamentarit Veljanovski, kapërcimi i sfidave bëhet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar. Ai vuri theksin edhe tek projektet e përbashkëta mes qeverive, të financuara në kuadrin e fondeve IPA-2 të Komisionit Evropian.

“Në Maqedoni arritëm të parandalojmë përshkallëzimin e tensioneve. Aksioni i policisë i kryer me shumë profesionalizëm e neutralizoi grupin kriminal terrorist, të cilët donin të dëmtonin rëndë Republikën e Maqedonisë edhe të përbënin një kërcënim për të gjithë rajonin. Sigurisht që situata politike aktuale kontribuon në përkeqësimin e mirëqenies së përgjithshme në shtet. Kjo ngjarje e pakëndshme nënvizon nevojën për një integrim më të shpejtë të rajonit në NATO dhe BE. Sërish dua të nënvizoj se situata e status-quosë në integrimin euroatlantik për ne dhe shtetet e rajonit krijon frustrim dhe na bën vunerabël ndaj tentativave për destabilizim. Unë mendoj se kapërcimi i sfidave bëhet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi Trajko Veljanovski, Kryetar i Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat