Maleska: ''Ku u nisëm e ku arritëm si shoqëri multietnike?!"

Maqedonia

Maleska: ''Ku u nisëm e ku arritëm si shoqëri multietnike?!"

Më: 23 maj 2015 Në ora: 22:44

Në debatin e sotëm të Qendrës për Demokraci dhe Zhvillim, në kuadër të projektit “Shkolla për Lidership”, e ftuar ka qenë profesoresha universitare Mirjana Maleska. Ajo ka ligjëruar në temën: ''Ku u nisëm e ku arritëm si shoqëri multietnike?!"
Duke folur për konfliktet gjatë historisë, Maleska tha se deri në vitet e 90-ta, luftërat bëheshin mes shteteve, ndërsa pas kësaj periudhe konfliktet janë të brendshme, pra bëhet fjalë për konflikte mes grupeve të ndryshme brenda një shteti. “Mirëpo, më së shpeshti konfliktet ndodhin për shkak të përfitimeve territoriale. Problemi i luftërave në Ballkan është se shoqëritë shumë shpejtë fituan pavarësi dhe nuk dinin se ku të ndalen, ku është mjaft nga aspekti territorial”, tha Maleska gjatë fjalës së saj.
Ajo gjithashtu tha se konflikti është më shumë i mundshëm në shoqëri thellësisht të ndara. “Duhet të dimë që të gjitha shoqëritë janë të ndara në ndonjë mënyrë, mirëpo këto ndarje bëhen të mëdha saqë të eskalojnë, në momentin kur dallimeve u kushtohet rëndësi e veçantë dhe kur konsiderohet se dallimet janë të papranueshme.
Maleska u shpreh se shoqëria jonë është më e integruar në krahasim me situatën para vitit 2001. Sipas saj, efekt të madh në këtë gjë kanë dhënë edhe ndihma e konsiderueshme nga ana e Bashkimit Evropian për shoqatat joqeveritare, duke përfshirë këtu udhëtimet dhe trajnimet e ndryshme. Sipas saj, është vështirë që me parti nacionaliste të arrihet deri te një shoqëri multietnike funksionale.
Në fund të këtij debati Maleska komentoi edhe krizën e thellë politike nëpër të cilën kalon vendi duke e kritikuar ashpër qeverinë me ç’rast u shpreh: ky koalicion është koalicion interesi, për arsye se është formuar pas zgjedhjeve dhe bazohet mbi interesa të caktuara të subjekteve në pushtet. Sipas sajë koalicionet parazgjedhore janë një praktikë e cila do të kontribuonte në demokratizimin e mëtutjeshëm të shoqërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat