Deklarata e Lavrovit, Ristovski: Rusia gjithë ka të drejtë

Maqedonia

Deklarata e Lavrovit, Ristovski: Rusia gjithë ka të drejtë

Më: 23 maj 2015 Në ora: 18:34

Përplasja e fortë mes Rusisë dhe Perëndimit, me referencë krizën në Maqedoni, po komentohet me qëndrime të ndryshme nga ekspertët. Shkak u bë deklarata e ministrit të Jashtëm Lavrov, i cili komentonte skenarë për ndarje të mundshme të Maqedonisë, duke e cilësuar skenar të SHBA-së. Por, një natë më parë, SHBA-ja dhe Gjermania e cilësuan të papërgjegjshme këtë deklaratë, duke theksuar se ato mbështesin vetëm atë që kanë konfirmuar qytetarët, dëshirën për integrim. Për Niko Ristovskin, ish ambasador i Maqedonisë në Rusi, qëndrimi i Lavrovit nuk ka pse sulmohet, sepse sipas tij, në 95 % të rasteve qëndrimet ruse janë të sakta.

“Ky është një paramendim i pastër, gënjeshtër e pastër për shkak se, së pari dhe thelbësorja është se Moska nuk ka krijuar asnjë lloj alternative, nuk ka krijuar ndonjë opsion por vetëm shpreh qëndrimet e saj rreth gjendjes në Maqedoni dhe në rajon, që në pjesën më të madhe ose 95 % e më shumë, janë të sakta. E dyta, të gjithë u shqetësuan kur Moska shprehu vlerësimet dhe analizat e saj, dhe askush në këtë shtet nuk përmendi dhe nuk u shqetësuar kur Xhon Kerri na porositi se jemi në linjën e frontit, që nënkupton se jemi në luftë dhe ai është njeri i fjalës dhe në vërtet “de facto” jemi në luftë.. që mendoj se është e mbështetur dhe e stimuluar nga të gjitha anët. Kjo është pjesë e një skenari që po zbatohet që nga fillimi i viteve ‘90”, u shpreh Niko Ristovski, ish ambasador i Maqedonisë në Rusi .

Por, për analistin Alajdin Demiri, Rusia dhe Maqedonia prej vitesh kanë ndryshuar orientimin, dhe me këtë kurs, po dëmtojnë të ardhmen e gjithë qytetarëve. Sipas Demirit, Rusia kërkon të krijojë një tampon zonë për të frenuar sa më shumë zgjerimin e NATO-s, ndikimit të së cilës i trembet.

“Rusia nëpërmjet Maqedonisë dëshiron të krijojë një tampon-zonë për depërtimin e mëtejshëm për NATO-n. Në këtë punë, pati sukses me Gruzinë ose Gjeorgjinë, pati sukses edhe me Ukrainën dhe tash objektivi i saj është Ballkani, gjegjësisht nëpërmjet Maqedonisë dhe Serbisë. E vërteta është se këtu i ndihmon pak Maqedonia me pozitat e veta që ka Qeveria e Maqedonisë ose Gruevski dhe me pozitat që i mban edhe Vuçiq në Serbi. Gjithë këto japin atë mozaikun e rikthimit të Rusisë në Ballkan dhe orientimit ndoshta të Maqedonisë dhe Serbisë kah Rusia për arsye se anëtarësimi i tyre në NATO dhe BE do të jetë proces i vështirë dhe gati i pamundur”, theksoi Alajdin Demiri, analist.

Ekspertë gjykojnë gjithnjë e më shumë se Maqedonia ndryshoi kurs që nga Samiti i Bukureshtit, kur nuk mori ftesën për në NATO për shkak të bllokadës së emrit. Një natë më parë, nga ambasada amerikane theksonin se akuzat për komplot në destabilizimin e situatës në Maqedoni, janë absurde, ndërsa nga ambasada gjermane siguronin se “kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë vendosur tashmë, dhe spekulimet për ndryshim të tyre paraqesin fillimin e konflikteve të reja të dhunshme.” Perëndimi u deklarua njëzëri se “qytetarët e Maqedonisë dhe liderët politikë duan që kjo vendi i tyre të jetë anëtar i BE-së dhe NATO-s, dhe ne, pajtohemi plotësisht me këtë”./alsat m

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat